Ja cilët persona e përhapin më shpejt koronavirusin

17:22 | 12 March 2020

Shumica e infektimeve me koronavirus bëhen prej njerëzve pa simptoma.

Shkencëtarët së fundmi kanë zbuluar, se koronavirusi mund të përhapet shumë më shpejt nga njerëzit, të cilat sapo janë infektuar dhe ende nuk kanë shfaqur simptoma, shkruan The Guardian, transmeton Express.

Një analizë e bërë së fundmi me të infektuarit në Singapor dhe Tianjon të Kinës, kanë treguar se shumica e personave, janë infektuar nga persona të tjerë, të cilët ishin në faza të para të infektimit dhe nuk kishin shfaqur ende simptoma.

Këto gjetje i kanë tronditur shkencëtarët, pasi që nëse kjo teori është e vërtetë, atëherë izolimi i personave pasi të kenë shfaqur simptoma, rezulton të jetë pa efekt, dhe kjo masë nuk do të arrijë ta ngadalësojë përhapjen e pandemisë siç është shpresuar deri tani.

“Kjo është gjëja e parë, për të cilën ne jemi brengosur kur ky shpërthim ka filluar”, tha Steven Riley, profesor i sëmundjeve infektuese në Kolegjin Imperial në Londër.

Hulumtuesit nga Belgjika dhe Irlanda kanë mbledhur informacione të personave të infektuar nga Singapori dhe Kina, për të analizuar më tepër mekanizmin e tij. Ata kanë analizuar intervalet kohore, në të cilat janë infektuar njerëzit. Ky interval përfshin kohën kur është infektuar një person, dhe ia ka transmetuar virusin një personi tjetër.

Si përfundim, mesatarja e këtyre intervaleve, ishte 5.2 ditë në Singapor dhe 3.98 ditë në Kinë. Shkencëtarët më pas vazhduan të kalkulojnë se cili interval përkonte me shumë me transmetimin e virusit në mes të njerëzve.

Si rezultat, në Singapor mesatarisht 45-84% dhe në Kinë 87% e infeksioneve kishin ardhur nga njerëz, të cilët ishin në fazën inkubatore dhe nuk kishin shfaqur ende simptoma të virusit.

Këto gjetje kanë konfirmuar sugjerimet e bëra nga Maria Kerkohove, kryetare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila kishte deklaruar më herët, se virusi është më aktiv dhe më i ngjitës, ende pa ju shfaqur njerëzve simptomat e para.

Ky studim ka ngjallur frikë tek shkencëtarët dhe ekspertët e shëndetësisë, se izolimi i personave të sëmurë, nuk do të mjaftojë në ndalimin e përhapjes së mëtejmë të virusit.

Komento: