Ja deri kur do të marrin pagë deputetët që nuk u rizgjodhën

08:06 | 23 Tetor 2019

Ani pse nuk u rizgjodhën deputetë, ata sërish do të marrin pagë.

Deputetët e legjislaturës së kaluar që nuk marrin paga nga buxheti i shtetit, e kanë të garantuar që do të marrin pagë për 1 vit.

Ndërkaq, edhe pse në dhjetor hyn në fuqi ligji për pagat, ata nuk do të kenë rritje, pasi që specifikohet se 12 pagat do t’i marrin 100% sa ishte pagesa e fundit.

Përkundër që ligji për pagat hyn në fuqi së shpejti, deputetët e legjislaturës ë kaluar do të paguhen sipas pagës së fundit bazë. Madje, ata deri në gusht të vitit 2020, do të marrin mbi 1400 euro, sa ishte paga bazë e tyre.

“Deputetët nëse e kanë përfunduar mandatin apo e kanë përfunduar para kohe dhe nuk gëzojnë ndonjë të hyrë financiare nga buxheti i shtetit për një periudhë kalimtare një vjeçare, gëzojnë të marrin përqindjen e pagës bazë që ka qenë e fundit për ata deputetë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Lulëzim Rafuna.

Madje për ta sqaruar këtë çështje, Ministria e Financave ishte drejtuar edhe te zyra ligjore, përcjell Telegrafi.

Drejtori ekzekutiv në organizatën “Çohu”, Arton Demhasaj tha se ligji i ri është shumë i qartë sa i përket pagave që duhet të marrin deputetët që nuk do të rizgjidhen.

“Assesi nuk bën që deputetët që nuk janë rizgjedhur në Kuvend të vazhdojnë të marrin pagën me rritje sipas ligjit të ri, pasi ligji hyn në fuqi në momentin kur këta ish-deputetë kanë mandatin e skaduar”, deklaroi Arton Demhasaj.

Ligji i ri për pagat është miratuar në shkurt të vitit 2019 dhe pritet të zbatohet në dhjetor të po këtij viti.

Komento: