“Koronavirusi zgjat deri në korrik”.
Amerika e “zbuloi” dhe ajo emergjencën e koronavirusit. Vetë Donald Trump e pohoi sesa e rëndë është vërtet situata, duke thënë se “ pandemia në Shtetet e Bashkuara mund të përfundojë në korrik apo në gusht”, e për të parën herë rrëfeu publikisht se “gjendja nuk është nën kontroll”.
Shtëpia e Bardhë po u bën thirrje amerikanëve të moshuar të mos dalin nga shtëpia, gjithashtu po nxit të gjithë popullatën të shmangë vende publike me turma njerëzish, ndër to edhe restorantet. Sugjerimet e reja janë pjesë e udhëzimeve të gjera që kanë bërë autoritetet për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Trump dhe grupi i punës që ai ka ngritur në përgjigje të koronavirusit nxorën udhëzimet e reja, në një kohë kur qeveria federale po punon për të shtuar ritmet e analizave për virusin dhe për të reduktuar dëmin nga paniku në tregjet financiare.
Ndër rekomandimet e reja: gjatë 15 ditëve të ardhshme amerikanët nuk duhet të mblidhen në grupe më të mëdha se me 10 vetë, studentët duhet të vazhdojnë të ndjekin studimet nga shtëpia dhe duhet të shmangen udhëtimet jo të domosdoshme dhe vizitat tek njeri-tjetri. Për shumicën e popullatës, infektimi me koronavirus do të shkaktojnë probleme të vogla, simptoma të lehta si kollë dhe temperaturë. Për disa, sidomos për personat e moshuar dhe ata që kanë problem shëndeti, mund të sjellë komplikime, ndër të cilat pneumoni.