Edhe 65 kosovarë vazhdojnë të mbesin në Siri.
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shpend Maxhuni, ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë për kthimin e 110 qytetarëve kosovarë nga Siria 10 ditë më parë.
Kryesuesi i këtij Komisioni, Faton Topalli, pas takimit ka folur para gazetarëve rreth përmbajtjes së diskutimeve.
Topalli ka thënë se që nga viti 2012, kur kosovarët kanë nisur të shkojnë drejt Sirisë, 334 persona janë kthyer në vendlindje, ndërsa në zonën e luftës në Siri janë vrarë 93 persona, përfshirë edhe gra e fëmijë.
“Vendimi për kthimin e këtyre qytetarëve ka qenë vendim i Qeverisë se Kosovës ku AKI ka luajtur rolin kryesor. Është bërë shkëmbim i informacioneve për situatën në Siri, për përfshirjen e qytetarëve tanë në këtë vend”, tha Topalli duke folur për operacionin.
“Sipas informacioneve që kemi, personat e kthyer janë profilizuar dhe nuk ka ndonjë rrezik për sigurinë e Republikës së Kosovës për faktin se shumica prej tyre janë viktima”, shtoi Topalli.
Ai tha se numri i qytetarëve kosovarë të cilët kanë mbetur në Siri “është shume i vogël në krahasim me të kaluarën”.
“Aktualisht numri është 65 persona”, tha Topalli.