Kanë mbetur edhe 504 vendvotime për t’u rinumëruar.
Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate është duke vazhduar procesi i rinumërimit të votave pas vendimit të PZAP-së.
Deri më tani raportohet të jenë rinumëruar 903 vendvotime nga 1407 gjithsejtë sa janë në proces.
Këtë e ka konfirmuar Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Edhe 63 vendvotime të tjera janë rinumëruar gjatë ditës së sotme, deri në orën 16, sipas vendimit të PZAP-it. Pra, në total numri i vendvotimeve të rinumëruara është 903. Kanë mbetur edhe 504 vendvotime për t’u rinumëruar apo 35.82% e tyre”, ka thënë Elezi.
Burim Ahmetaj nga QNR-ja, të hënën deklaroi se procesi pritet të përfundojë për 7-8 ditë.