Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, vendi pritet të shkojë në zgjedhje.
Ani pse ende nuk dihet saktësisht se kur do të mbahen zgjedhjet e reja, disa prej partive tashmë kanë caktuar emrat e zyrtarëve, të cilët do të nominohen për pozitën e kryeministrit. Derisa nga PDK-ja kanë njoftuar se kryetari i partisë Kadri Veseli do të jetë kandidati që synon ta rrëmbejë këtë pozitë, përfaqësuesit e AAK-së kanë thënë se kreu i këtij subjekti Ramush Haradinaj do të emërohet si kandidat për kryeministër, shkruan sot Gazeta Zëri.
Por jo vetëm këto dy parti kanë vendosur që udhëheqësit e subjekteve t’i caktojnë si pretendues për pozitën e shefit të qeverisë së ardhshme.
Njëjtë ka vepruar edhe Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarë të së cilës kanë thënë se lideri i LVV-së Albin Kurti do të jetë sërish i nominuari i partisë për pozitën në fjalë. Për dallim prej tyre, paqartësi në këtë drejtim vazhdon të ketë brenda LDK-së.
Në këtë subjekt janë dy figura kyçe që po përfliten për pretendues të postit të kryeministrit. Disa brenda LDK-së po e mbështesin nënkryetarin Lutfi Haziri e disa të tjerë deputeten Vjosa Osmani. Për dallim prej tyre, zyrtarët e Nismës e kanë ndarë mendjen në këtë drejtim.
Kreu i partisë Fatmir Limaj sipas tyre do të jetë kandidat i pakontestueshëm për kryetar të qeverisë së re.