Ja kur do dalin pagat me rritje për punëtorët e shtetit

15:47 | 23 Tetor 2019

Kur do dalin pagat me rritje për punëtorët e shtetit?

Për herë të parë çështja e pagave po rregullohet me ligj. Në fillimi të këtij viti Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik.

Edhe pse ligji për paga është miratuar më 2 shkurt të këtij viti, punëtorët e sektorit publik ende nuk kanë marrë pagat me rritje.

Kjo pasi ende nuk janë bërë nëntë muaj nga publikimi në Gazetën Zyrtare, kur edhe bëhet i plotfuqishëm.

Në Ministrinë e Financave kanë treguar se ligji për paga nuk do të hyjë në fuqi deri më 1 dhjetor.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në dorëheqje, Bedri Hamza, ka thënë se ligji i ri i pagave do të nisë së zbatuari në dhjetor.

“Të gjithë të punësuarit që janë në sektorin publik që marrin paga nga buxheti i shtetit, pagën e dhjetorit e marrin sipas ligjit të ri. Nuk do të ketë implikime buxhetore, pasi kjo ka qenë e paraparë me kohë në buxhet”, ka thënë Rafuna për lajmi.net.

Paga jo fort të larta, do të ketë policia e Kosovës. Në këtë sektor paga bazë nisë me 239 euro, të cilat pritet t’i kenë kadetët policor, ose koeficientin 1, pastaj, polici i ri pagën bazë do ta ketë 454 euro, ose koficinetin 1.9, polici koeficientin 2, ose 478 euro, polici i larët 525 euro, rreshteri 573 euro, togeri657 euro, etj.

Megjithëkëtë, Shaban Tasholli, nënkryetar i sindikatës së Policisë së Kosovës thotë se janë pajtuar me këtë situatë, ndonëse sipas tij, pagat për policinë kanë mbetur të ulëta.

“Nuk kemi bërë ankesë sepse kemi pasur parasysh gjendjen në tërësi që është në Kosovë. Por, e mira është se në benefite nuk na kanë prekur, si ndërrimit i natës, rrezikshmëria, ato vazhdojnë qysh kanë qenë”, ka thënë shkurt Tasholli për lajmi.net.

Ky ligj pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

“Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij Ligji do të jetë dyqind e tridhjetë e nëntë (239) euro. Për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të Buxhetit”, thuhet në nenin 23 të Ligjit.

Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10. Sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale. Të njëjtën pagë prej 2,151 euro do ta ketë edhe kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese nga 2,950 euro përkatësisht 3,108 euro që janë paguar aktualisht.

Ministrat dhe kryetarët e komunës do të marrin 70 për qind të pagës edhe pas përfundimit të mandatit.

Zhurma më e madhe në lidhje me përfitimet pas largimit nga detyra, ishte bërë për zëvendësministrat dhe ata do të paguhen gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit dhe të gjitha këto përfitime nuk do të bëhen në disa raste, që janë të specifikuara në Ligj. Zëvendësministri i cili pas përfundimit të mandatit nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar për gjashtë muaj në vlerë prej 70 për qind të pagës bazë të fundit, në institucionin në të cilin ka bartur funksionin. Përfitimi sipas këtij neni nuk paguhet nëse funksionari: jep dorëheqje nga funksioni. Shkarkohet nga funksioni për shkelje ligjore. Pas përfundimit të mandatit ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti i Kosovës. Ose nëse me vendim të formës së prerë nga Gjykata është shpallur fajtor për ndonjë vepër penale gjatë kohës që ka bartur funksionin.

Ministri i Financave Bedri Hamza në një deklarim të më hershëm kishte thënë se me Ligjin e Pagave nuk do të do të lejohet që të ketë efekt në uljen e shpenzimeve kapitale.

“Kur jemi te Ligji i pagave nuk do të lejojmë që të ketë efekt në uljen e shpenzimeve kapitale për arsye se do të marrim të gjitha masat e mundshme që ta menaxhojmë implementimin e Ligjit për paga pa i cenuar shpenzimet kapitale. Kosova brenda strukturës së vetë të Buxhetit ka dhe ruan nivelin më të lartë të shpenzimeve kapitale në krahasim me vendet e rajonit, dhe ky është një sinjal shumë i mirë për zhvillimin ekonomik dhe besoj se edhe në të ardhmen pavarësisht se kush do të jetë Ministër i Financave duhet ta ruaj këtë strukturë”.

Megjithëkëtë, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukqi ka dhënë disa arsye pse ky ligj është i dëmshëm për sektorin privat.

“Ky ligj është në dëme të sektorit privat pasi që po krijon një konkurrencë të pabarabartë duke rritë pagën në sektorin publik faktikisht po ndikon drejtpërdrejt në përformancën e sektorit privat pasi që fuqia punëtore nuk po është e atraktume për sektorin privat por me qëllimin e vetëm për punësimin në sektorin publik”.

Ai ka thënë se me rritjen e pagës po rritet edhe më shumë burokracia, pra nuk po ka rritje të produktivitetit të fuqisë punëtore në sektorin publik.

Numri i punëtorëve që paguhen nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë dhe paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2018 ishte 573 euro. Kurse në sektorin privat, që llogaritet të ketë rreth 250 mijë punëtorë, 410 euro është paga mesatare.

“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 euro, që është një rritje për 166 euro ose 40.8 për qind. Kurse, paga mesatare neto nga 353 euro, sa ishte në vitin 2012 u rrit në 509 euro apo një rritje prej 156 eurosh ose 44.1 për qind. Sektori privat kishte një pagë bruto mesatare prej 367 eurosh, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur në 401 euro, një rritje prej 34 eurosh ose 9.3 për qind. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 364 euro, një rritje prej 31 eurosh ose 9.3 për qind”, thuhet në raportin mbi nivelin e pagave të prezantuar nga ASK.

Lidhur më nivelin e pagës minimale, një punëtor në Kosovë që është i moshës nën 35 vjeç paguhet me 130 euro, kurse ata që janë mbi këtë moshë paguhen me 170 euro.

Komento: