Pagat e dhjetorit do të dalin në dhjetor, Ministri po pret sqarim nga Gjykata se cili ligj është pezulluar.
Të martën është krijuar një konfuzitet lidhur me pagat që do t’i marrin zyrtarët publikë, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo, pasi që në media qarkulloi lajmi se Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar për tre muaj zbatimin e Ligjit për Pagat e zyrtarëve publikë, i cili ishte paraparë të hynte në fuqi nga dhjetori i këtij viti.
Sipas njoftimit, ky institucion ka pezulluar për tre muaj zbatimin e Ligjit për Zyrtarët Publik, shkruan Indeksonline.
Sipas kërkesës së Avokatit të Popullit kundër këtij Ligj, pas ankesave të sindikatave të disa ndërmarrjeve publike në vend, Gjykata Kushtetuese vendosi sot për pezullimin e zbatimit të këtij Ligji.
“Gjykata vendosi njëzëri që: I. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 28 shkurt 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi; II. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, në kohëzgjatje të njëjtë”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Por, Lulzim Rafuna, këshilltari i ministrit së Financave në dorëheqje, Bedri Hamza, për Indeksonline, ka bërë të ditur se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Ligji për Zyrtarët Publik janë të ndryshëm.
Rafuna ka thënë se Kushtetuesja zyrtarisht, nuk ka pezulluar ligjin për pagat, por gjaë ditës Ministria e Financave pret një shkresë zyrtare ka institucioni përkatës se për cilin ligj bëhet fjalë.
“Ne zyrtarisht ende s’kemi pranuar asnjë informatë, ne jemi informuar vetëm nga mediave. Ndërsa aq sa jemi të informuar, prapë po e cek nga mediat, që është pezulluar ligji për zyrtarët publik, por jo për pagat.
Është Ligji i Administratës, Agjencive, Ligji për zyrtarë publik dhe ligji për pagat. Deri më sot, aq sa kem informata, në Gjykatë Kushtetuese ka shkuar ligji për zyrtarë publik, prapë prej media jo zyrtarisht jemi informuar që ligji për pagat është pezulluar por ne presim që gjatë ditës do ta pranojmë edhe aktin zyrtar dhe do të shofim se cili ligj është pezullu dhe për sa kohë është pezulluar”, ka thënë ai.
Nëse shikojmë njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, ajo ka dhënë njoftimin për ligjin nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, ndërsa ligji nr.06/L-111 është për pagat në sektorin publik.
Kujtojmë se, sipas afateve ligjore, nga ky muaj punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje. Në bazë të këtij ligji, pagat në sektorin publik janë rritur për 70 për qind të punëtorëve.