Mësohet se kur do të zhvillohet ndeshja Maqedoni – Kosovë.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s të mërkurën do të mblidhet përmes video-konferencës, për të vendosur për shumë çështje lidhur me futbollin.
Do të diskutohet fundi i sezonit të Ligës së Kampionëve, garat evropiane për sezonin e ardhshëm, e po ashtu edhe për gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, ku garon edhe Kombëtarja e Kosovës.
Sky Sports ka raportuar në lidhje me planet e UEFA-s rreth ndeshjes Maqedoni – Kosovë.
Sipas këtij mediumi prestigjioz, ndeshja mes Maqedonisë dhe Kosovës do të zhvillohet në Shkup, dhe mundësitë për t’u luajtur, janë në muajin tetor dhe nëntor.
Fillimisht ndeshja mes Maqedonisë dhe Kosovës ishte planifikuar të luhej më 26 mars, por ishte shtyrë shkaku i COVID-19.
UEFA pati vendosur një datë të re, në muajin qershor, por përhapja e pandemisë së koronavirusit, bëri që kjo ndeshje të shtyhet në afat të pacaktuar.
Fituesi i sfidës Maqedoni – Kosovë, në finale për një vend në EURO2020 do të takohet me fituesin e sfidës tjetër, Gjeorgji – Bjellorusi.