Ja kur hapet pishina e “Gërmisë”, këto janë çmimet – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Ja kur hapet pishina e “Gërmisë”, këto janë çmimet

21:07 | 31 Maj 2019

Pishina hapet për ditën e çlirimit të Prishtinës.

Kryeshefja ekzekutive e ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, Mirlinda Sopi Krasniqi, e cila ka marrë këtë post nga fundi i vitit të kaluar, ka folur rreth të rejave të sivjetme në pishinën e “Gërmisë”.

Pishina do të hapet më 11 qershor, që është edhe dita e çlirimit të kryeqytetit, siç ndodh pothuajse çdo vit që nga paslufta, ndonëse Sopi-Krasniqi thotë se hapja mund të shtyhet nëse 11 qershori do të jetë me shi.

“Kjo bëhet për ditën e çlirimit të Prishtinës, por nëse ka shi atë ditë, do të shtyhet hapja. Muaji prill dhe maj janë muajt përgatitor për pishinën. Ndërmarrjen e kam gjetur në gjendje të rëndë, por tani është shumë më mirë. Janë bërë disa investime të vogla në pishinë, ndonëse ka nevojë për investime të mëdha kapitale, por ndërmarrja s’ka mundësi financiare. Rrethojën e kemi rregulluar që të mos përzihet uji i shiut me ujin e pishinës. Kemi ndërhyrë në amfiteatër, disa ujëmbledhës, punët janë kryer me një kompani private në kompensim të reklamimit”, ka thënë ajo për emisionin 038 të KTV-së.

Kryeshefja Krasniqi thotë të ketë bërë kërkesë në Komunë që të investojnë në pishinë pasi që ndërmarrja ka nevojë t’i rriten operatorët që i menaxhon në mënyrë që të bëhet ndërmarrje e fortë e të mos ketë nevojë për ndihmë.

“Deri më tani s’kemi ndonjë marrëveshje me Komunën. Në llogarinë bankare, kur e kam marrë mandatin, kanë qenë vetëm 4 euro. Ka pasur borxhe ndaj punëtorëve për një kohë të gjatë. Por, jemi stabilizuar kur Kuvendi Komunal ndau ndihmë ndaj ndërmarrjes”, deklaroi ajo.

Në lidhje me reagimet e ish-anëtarëve të bordeve të mëhershme rreth mos-pagesës së obligimeve financiare ndaj tyre, Sopi-Krasniqi ka thënë se me të hollat e siguruara nga KK i Prishtinës është e pamundur të kryhet pagesa karshi tyre “sepse prioritet e kemi pasur shlyerjen e borxheve ndaj operatorëve” të cilët tha ajo se e kanë kërcënuar ndërmarrjen me përmbarues.

“Pastaj, pagat e punëtorëve për 9 muaj. Ky bord ka qëndruar për 6 vite dhe s’ka marrë pagë, e njëkohësisht as nuk kanë kërkuar pagë. Si ndodhi që tani të kërkojnë? Megjithatë, jam në anën e bordit, ato borxhe duhet t’i shlyejmë. Por, kur nuk ke të hyra tjera për 9 muaj, s’kemi mundësi tjera”, potencoi ajo.

Kryeshefja ekzekutive e ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, Mirlinda Sopi Krasniqi, tha se çmimi për hyrje në pishinë është i njëjtë me atë të vitit të kaluar.

“Çmimi për hyrje në biletë s’do të ndryshojë. 3 euro është bileta gjatë vikendit për të rriturit. Nuk mund të shtyhemi me pishina private sepse jemi ndërmarrje publike, por do të vazhdojmë të mbajmë cilësinë më të mirë të ujit në rajon. Çmimet janë më të ulëtat në treg. 2 euro nga e hëna në të premten për të rriturit, 1 euro për të vegjlit, për fëmijët nën moshën 7 vjeçare është pa pagesë”, potencoi ajo.

Tutje, ajo ka thënë se zgjidhje e problemeve financiare do të jetë investimi në pishinë me projekte kapitale, siç është edhe pishina olimpike apo edhe mbulimin e fushave sportive të cilat mund të shfrytëzohen edhe gjatë stinëve tjera.

Komento: