Pas votimit të sotëm në Parlamentin Evropian, jepet edhe një afat i ri kur mund të hiqen vizat.
Parlamenti Evropian ka votuar pozitivisht një raport të përgatitur nga raportuesja për Kosovën, Tanja Fajon. Raporti kishte të bënte me liberalizimin e vizave. Mirëpo, a është ky votim një shtytje drejt liberalizimit të vizave. Artan Murati nga KDI thotë se në situatën më të favorshme në BE, kosovarëve nuk mund t’iu liberalizohen vizat para pranverës së 2020’ës.
Sinjale për heqje të vizave, Kosova merr herë pas herë nga institucionet e Bashkimit Evropian, megjithatë ky proces është shtyrë pa ndonjë afat të caktuar.
Por, a duhet të gëzohen kosovaret sa herë që në Parlamentin Evropian përmendet liberalizimi?
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për Gazetën Express se votimi pro raportit është një rikonfirmim i qëndrimit të PE’së për çështjen e liberalizimit të vizave.
Ai thotë se votimi i sotëm është një hap tutje për heqjen e vizave sepse fillon trialogu mes tri institucioneve të BE’së.
“Parlamenti Evropian rikonfirmoi një qëndrim tanimë të ditur rreth procesit të liberalizimit për Kosovën. PE votoj për fillimin e trialogut mes Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit lidhur me procesin e liberalizimit të vizave”, thotë Murati.
Ai tutje tregon se liberalizimi i vizave ka ngecur te Këshilli i Ministrave të BE’së, votimi i të cilëve llogaritet të jetë vendimi final për lëvizjen e lirë të kosovarëve në zonën Shengen.
“Edhe Komisioni evropian veçse ka paraqitur qëndrimin e vet, duke konstatuar se Kosova ka përmbushur kriteret formale për liberalizim. Por, fatkeqësisht nuk ka asnjë lëvizje nga organi ku duhet të merret vendimi final për lëvizje të lirë në Zonën Shengen, pra nga Këshilli”, ka shtuar Murati.
Derisa zyrtarët e lartë të shtetit sot e kanë konsideruar si një hap drejt liberalizimin e vizave, Murati tregon se ku në fakt duhet të ketë Kosova fokusin për të marrë dritën e gjelbër të lëvizjës së lirë.
Kryeminitri Ramush Haradinaj thotë se votimi i raportit në PE dëshmon se institucionet i kanë plotësuar kushtet për të marrë liberalizimin.
“Një vullnet kaq i fuqishëm politik, që buroi sot nga Parlamenti Europian në Strasburg, rikonfirmon për të disatën herë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara, siç e ka konfirmuar edhe Komisioni Europian në Bruksel vitin e kaluar”, ka shkruar Haradinaj në FB.
Murati thotë se Kosova duhet të ketë fokus te shtetet që nuk janë pro liberalizimit të vizave për kosovarët.
Ai kujton se përderisa Kosova nuk hyn në agjendën e së Këshillit të ministrave të BE’së, sepse përndryshe nuk mund të ketë shansin e liberalizimit, pa marrë parasysh zhvillimeve tjera.
“Shtetet anëtare të BE-së kanë shprehur në vazhdimësi skepticizmin e tyre për një liberalizim potencial për Kosovën, dhe si rrjedhojë edhe lobimi kosovar duhet të fokusohet këtu. Përderisa Kosova nuk do të jetë pjesë e agjendës së Këshillit, nuk do të ketë liberalizim. Duhet fillimisht të insistohet që Kosova të bëhet pjesë e agjendës, e më pas edhe të kërkohet vota pozitive. Presidencën aktuale në BE e ka Rumania, dhe është pak e besueshme se një gjë e tillë mund të ndodhë përgjatë kesaj kohe”, është shprehur Murati.
Ai thotë se ka shpresë për një situatë më të favorshme për liberalizim kur presidencën ta udhëheq Finlanda, mirëpo, sipas Muratit, lëvizja e lirë s’mund të ndodh para pranverës së vitit 2020.
“Pak më shpresëdhënës është shteti i radhës që do të udhëheqë me BE-në, Finlanda, dhe synimi ynë duhet të jetë që së paku brenda vitit 2019 të merret vendimi për liberalizim, në mënyrë që të kemi mundësi të udhëtojmë pa viza në Zonën Schengen të paktën në pranverën e vitit 2020”.
Parlamenti Evropian edhe njëherë ka votuar në favor të liberalizmit të vizave për Kosovën. Deputetët evropianë votuan me 331 vota për, 126 kundër dhe 12 abstenime