Në shumicën e vendeve të botës ka nisur vaksinimi i qytetarëve me dozën e tretë të vaksinës, e njëjtë do të ndodhë edhe me Kosovën
Kosova nisi vonë procesin e imunizimit kundër koronavirusit, megjithatë nga Ministria e Shëndetësisë zotohen se do të veprojnë në kohë të duhur për aplikimin e dozës përforcuese.
Edhe ekspertët shëndetësor pajtohen që aktualisht nuk është momenti që në Kosovë të nis administrimi i dozës së tretë të vaksinës pasi konsiderojnë se për të marrë dozën përforcuese, së paku duhet të kalojnë 6 muaj prej marrjes së dozës së dytë të vaksinës anti-COVID.
Tashmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka rekomanduar autoriteteve shtetërore për dhënie e dozës së tretë për grupe të caktuara. Ndërsa, si kohë optimale nga Ministria e Shëndetësisë për distribuimin e këtyre dozave ishte dhënë viti i ardhshëm.
Por në një përgjigje për KosovaPress nga ky dikaster kanë thënë se në kohën e duhur Kosova do të marrë vendimin për të nis aplikimin e dozës përforcuese.
Madje të njëjtit thonë se nuk do kenë telashe rreth dozave të nevojshme për grupet e caktuara.
“Kosova do ta marrë vendimin në kohën e duhur për aplikimin e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19, meqë ka filluar më vonë me procesin e vaksinimit, ndërsa nuk pritet të ketë probleme rreth dozave, meqë MSh ka një kontratë me kompaninë Pfizer për blerje të vaksinave kundër COVID-19 dhe ekipi negociues i ka parasysh nevojat për procesin e vaksinimit. Shtetet që kanë filluar ta aplikojnë dozën e tretë, e kanë bërë këtë vetëm për kategori të caktuara të popullatës, si të moshuarit, punëtorët e kujdesit shëndetësor apo kategori me imunitet të komprometuar”, thuhej në shkresën e MSh për KosovaPress.
Derisa imunizimi me dozën e tretë po bëhet në shumë vende të botës vetëm për grupet që kanë imunitet më të komprometuar, infektologu Iliri Tolaj thotë se doza përforcuese do jetë e nevojshme për të gjithë.
Tolaj për KosovaPress deklaron se nuk është vonë që në vitin e ardhshëm të ndodh aplikimi i kësaj doze marrë parasysh edhe vonesat me të cilat ka nisur komplet procesi i vaksinimit në Kosovë.
“Doza e tretë është e domosdoshme me gjasë jo vetëm për kategoritë që kanë probleme shëndetësore kronike apo imunitet të dobët por me gjasë për të gjithë. Nuk është vonë viti i ardhshëm pavarësisht që niveli i antitrupave bie edhe pas dozës së dytë pas një periudhe por sërish imuniteti nuk është shuar i ploti në organizëm dhe rrjedhimisht me këtë të gjitha ata organizma që e kanë kaluar në mënyrë të natyrshme infeksionin pa janë vaksinuar me dy doza kanë një mbrojtje të mjaftueshme pavarësisht nivelit të antitrupave që ua garanton që eventualisht infeksionin e ri do ta kalojnë më lehtë dhe nuk do përfundojnë në spital apo kujdes intensive”, thotë Tolaj.
Ndërsa, internisti Driton Vela sugjeron që doza përforcuese të mos aplikohet te qytetarët pa kaluar 6 muaj nga koha prej kur qytetarët kanë marrë dozën e dytë të vaksinës anti-COVID.
“Në Kosovë shumica e popullatë është vaksinuar ne periudhën korrik, gusht dhe shtator prandaj asnjëri nga ky fraksion i popullatës që është vaksinuar në këta muaj nuk ka nevojë ta marr dozën e tretë sepse ka kaluar kohë e shkurtër në pjesën më të madhe të shteteve të botës referohet që doza e tretë të merret 5 apo 6 muaj pas dozës së dytë….Duhet të caktojmë prioritetet se kush do të marr dozën e tretë aktualisht ka dëshmi për personat e moshuar mbi moshën 65 vjeç e sidomos mbi 80 dhe persona me probleme shëndetësore për të tjerët të cilët janë të shëndosh 6 muajshi duke është i hershëm për ta marr dozën e tretë ”, u shpreh ai.
Se Kosova nga viti i ardhshëm mund të nis shpërndarjen e dozës së tretë të vaksinës e thotë edhe epidemiologu, Isuf Dedushaj.
Por ai këshillon institucionet shëndetësore që fillimisht të imunizohen 60 % e popullatës e më pas të vazhdohet me dozën përforcuese.
“Neve duhet të arrijmë atë premtimin që ka dhënë ministria prej 60 % unë besoj se do e arrij se me kalim të sëmundjes, me vaksina me 1 dozë apo 2 doza është arritur mbulesë gogja e mirë që jep siguri epidemiologjike nëse ne arrijmë 60 deri në 80% që ta mbulojmë popullatën me vaksinës kundër COVID-19 gjithsesi duhet të fillojmë me personat që pas 1 viti me dhënë dozën përforcuese apo dozën e tretë“, tha ai.
Ndërsa, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) në fillim të muajit tetor do të vendos nëse do të miratojë dhënien e dozës shtesë të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër COVID-19 për të gjithë njerëzit e moshës mbi 16 vjeç. Ndërsa, tashmë Maqedonia e Veriut nga kjo e hënë ka nisur dhënien e dozës përforcuese për qytetarët mbi 65 vjeç.