A do të shtrenjtohet apo jo ҫmimi i kafes në Prishtinë!?
Pronarët e kafeneve të Prishtinës pritet që sot të takohen për t’u koordinuar në lidhje me shtrenjtimin e kafeve.
Insajderi ka mësuar se sot rreth orës 14:00, pritet të mblidhen pronarët e kafeneve në lagjen Emshir, saktësisht në kafen ‘My Ëay’.
Këtë iniciativë e kanë marrë djemtë e Justina Shiroka Pulës, ish-kryetares së Gruas Demokratike të Kosovës.
Lidhja e marrëveshjeve që të fiksohet çmimi në mes të ndërmarrjeve të së njëjtës konkurrencë, që veprojnë në të njëjtin nivel ekonomik është e sanksionuar me Ligjin mbi Konkurrencën.
Shefi i anti kartelës në kuadër të Agjencisë Kosovare të Konkurrencës, Selajdin Beqa e ka konfirmuar ditë më parë që drejtorati që ai e drejton ka nisur një hetim për këtë punë.
“Jemi duke e shikuar këtë punë. Jemi duke e monitoruar tregun”, ka thënë shkurt Beqa, pa dashur të komentojë më tej.
Nëse një gjë e tillë konfirmohet nga AKK-ja, nëse ka pasur marrëveshje në mes të pronarëve për ngritje të çmimit, atëherë kjo është e kundërligjshme, pasi bëhet fjalë për marrëveshje kartel.
Ligji nr. 03 /L-229 për mbrojtjen e Konkurrencës neni 4 “Marrëveshjet e ndaluara”, thotë se “Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marrura në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që: caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”.
Të gjitha kafe baret që ndodhen në qendër të Prishtinës në rrugën “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” i kanë shtrenjtuar makiatot e vogla. Nga 0.70 cent aq sa ka qenë, çmimi është ngritur në 1 euro. Çmimi është ngritur brenda ditës në të gjitha kafeteritë përnjëherë. Ndërkohë, makiato e madhe vazhdon të ketë të njëjtin çmim prej 1 euro. Makiatot janë shtrenjtuar edhe në disa zona tjera të Prishtinës.