Ja për çfarë po intervistohet Haradinaj Hagë sipas mediave serbe

11:02 | 24 July 2019

Mediat serbe e “gjejnë” lëndën për të cilën Haradinaj po intervistohet në Hagë.

Mediat e afërta me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, tashmë kanë filluar të propagandojnë rreth asaj se për çfarë po intervistohet Ramush Haradinaj nga Gjykata Speciale.

‘Blici’ serb i thirrur në burimet e veta spekulon se ‘Haradinaj po merret në pyetje nga Haga për rastin e ‘Shtëpisë së Verdhë’, transmeton Gazeta Express.

Sipas këtij mediumi hetimet lidhur me këtë rast i kanë kryer disa hetues amerikan, duke përmendur edhe inicialet e njërit prej tyre si D.L, të cilin ‘Blici’ spekulon se e kanë kontaktuar.

Megjithatë thonë se prokurori amerikan D.L më pas ishte rekrutuar nga shërbimi sekret shqiptarë, i cili pastaj sipas ‘Blicit’, kishte penguar edhe hetimet lidhur me rastin.

“Amerikanët kanë zbuluar katër lokacione të dyshuara për varreza masive në Shqipëri. Me të dhënat e kaluara dhe dëshmitë e shqiptarëve, gjithashtu është bërë edhe hetim nga ana e Dick Martyt”, thotë ky burim i ‘Blicit’.

Sipas këtij mediumi të afërt me Vuçiqin në këtë rast janë të përfshirë edhe një grup ushtarësh dhe komandantësh.

“Trafikimi i organeve, kidnapimi dhe transporti i serbëve dhe shqiptarëve për në Shqipëri nuk ka qenë e mundur pa Haradinajn. Edhe vëllai i ish-kryeministrit është i përfshirë. Një grup ushtarësh dhe oficerësh gjithashtu janë të ndërlidhur me transportimin, ndalimin dhe torturat”, thotë ky burim spekulativ i ‘Blic’-it serb.

Gazeta serbe shkruan se “çmimi për shitjen e organeve ka shkuar nga 25 mijë marka deri në 100 mijë”.

Sipas tyre me hetimet lidhur me “Shtëpinë e Verdhë” është marrë UNMIK-u që nga viti 2003.

Megjithatë anash spekulimeve të mediave serbe, ende nuk dihet se për çfarë do të merret në pyetje Ramush Haradinaj nga prokurorët e Gjykatës Speciale të Hagës.

Ai është duke u intervistuar sot si i dyshuar.

Komento: