Ja sa janë shtrenjtuar qumështi, vezët dhe djathi në Kosovë

19:05 | 12 April 2023

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar se, në krahasim me muajin mars të vitit të kaluar, sivjet çmimet janë më të larta në disa kategori ushqimore.

Kjo rritje e çmimeve ka ardhur si pasojë e normës vjetore të inflacionit e matur në muajin mars 2023 me muajin mars 2022, e cila, sipas ASK-së ishte 7.6%.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (19.2%); mish (16.6%); prodhime ushqimore (16.2%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (15.0%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (13.7%); bukë dhe drithëra (12.8%); perime (11.6%); mobile, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e shtëpisë (9.6%); peshq (9.6%); mbrojtje sociale (9.5%); kujdes personal (9.0%); kafe, çaj dhe kakao (8.7%); restorante dhe hotele (8.5%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (7.9%); pije alkoolike, duhan (7.4%); pemë (6.8%); gjëra personale (6.1%); pije joalkoolike (6.1%); vajra dhe yndyra (5.5%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (5.3%); duhan (5.2%); pushime e organizuara (5.0%); shërbime rekreative dhe kulturore (4.5%); energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (4.0%); pajisje të tjera të qëndrueshme për rekreacion dhe kulturë (3.5%); rekreacion dhe kulturë (2.6%); arsimi (2.3%); gazeta, libra dhe materiale për zyre (1.9%); shëndetësi (1.9%); shërbime financiare (1.8%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (1.4%); pagesa aktuale për banim (1.3%); veshje dhe këpucë (1.0%); transport (0.9%); shërbime telefonike dhe të telefonit (0.5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 8.3 për qind në IHÇK”, thotë ASK-ja në raportin e saj të publikuar sot.

Ndërsa, rënie e çmimeve, sipas ASK-së, vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it si “karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-6.9%); energji elektrike (-4.8%); pajisje audio-vizuele dhe fotografike për përpunimin e informatave (-3.0%); mjete të komunikimit (-2.9%); gaz (-1.3%); dhe sigurime (-0.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.7 për qind) në IHÇK”.

ASK-ja thotë se inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte (-0.4%) në muajin mars 2023.

Ndërkaq, thuhet po ashtu se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i ulët në një mesatare prej (-0.4%) në muajin mars 2023, krahasuar me muajin shkurt 2023.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pajisje telefonike dhe të telefaksit (-22.7%); energji elektrike (-7.1%); shërbime për transport (-2.8%); vajra dhe yndyra (-1.8%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-1.8%); dhe qumësht, djathë dhe vezë (-1.0%)”, thotë ASK-ja në këtë raport.

Ndërsa, sipas këtij raporti, ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet e COICOP-it: prodhime ushqimore (1.8%); rekreacion dhe kulturë (0.6%); mobile, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e shtëpisë (0.4%); si dhe veshje dhe këpucë (0.2%).

Komento: