Liberalizimi i vizave vazhdon të mbetët ҫështje e pazgjidhur.
Vetëm 16 nga 53 lëndët e shënjestruara për liberalizimin e vizave, deri tash kanë marrë verdikt përfundimtar nga drejtësia kosovare.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, institucionet e drejtësisë kanë dështuar në trajtimin e lëndëve të shënjestruara. Sipas tyre, mungesa e rezultateve ka ndikuar edhe në liberalizimin e vizave.
Edhe nëse liberalizimi nuk do të jetë premtim elektoral për zgjedhjet e 6 tetorit, kosovarët e izoluar do të vazhdojnë të presin heqjen e vizave. E në kohën kur qytetarët presin heqjen e vizave, pas plotësimit të kritereve të parapara, në institucionet kosovare të drejtësisë vazhdojnë të presin për t’u zgjidhur një numër i lëndëve të shënjestruara për liberalizimin e vizave. Koordinatori për këto lëndë, Agim Maliqi, tregoi për Radio Kosovën se sa është numri i lëndëve që kanë verdikt final.
“Janë 53 lëndë të shënjestruara. Prej tyre, 15 janë në fazë hetimi, kurse 38 lëndë janë me aktakuza të ndritura nga ana e prokurorive përkatëse. Nga këto 38 lëndë, 11 janë në fazën e shqyrtimit gjyqësor, 11 lëndë janë të përfunduara në gjykata të shkallës së parë, ndërsa 16 lëndë kanë aktgjykim të formës së prerë”, tha ai.
Maliqi thotë se këto lëndë po i trajtojnë seriozisht, ngase janë më të ndjeshme dhe kërkojnë punë efikase.
Për Betim Musliun, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, institucionet kosovare të drejtësisë kanë dështuar në trajtimin e lëndëve të shënjestruara. Ai thotë se mungesa e rezultateve në luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar ka ndikuar edhe në liberalizimin e vizave.
Arsyeja kryesor për të cilën janë duke hezituar disa prej shteteve evropiane kyçe, që të shtyjnë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën është mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuara. Prandaj, shënjestrimi i këtyre rasteve nuk është i mjaftueshëm, përderisa ato nuk trajtohen me prioritet, ashtu siç edhe ishte planifikuar”, tha ai.
Pas dhënies së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, nga Komisioni Evropian, zyrtarë të shteteve kyçe të BE-së, në vazhdimësi i kanë kërkuar Kosovës më shumë rezultate në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsioni të profilit të lartë, para një vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave.