Ja sa miliona euro mallra i ka futur Serbia në Kosovë që nga heqja e taksës

08:51 | 04 May 2020

Për më pak se një muaj nga heqja e taksës, ja sa miliona euro mallra i ka futur Serbia në Kosovë.

Për më pak se një muaj që nga heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit për produktet me origjinë nga Serbia, janë importuar mallra në vlerë prej 12.4 milionë eurosh. Megjithatë, kjo ka ndikuar pozitivisht në mbushjen e arkës së shtetit. Sipas një raporti të Doganës së Kosovës, nga 1 deri më 26 prill janë grumbulluar mbi 1 milion euro taksa.

Në raportin përmbledhës për zbatimin e masave të reciprocitetit për këtë periudhë tregohet se Kosova ka eksportuar mallra në vlerë prej 0.7 milion euro. Mallrat me vlerën më të lartë të eksportuar në Serbi janë mallra të tjera, manaferra të buta dhe linjit.

Ndërkohë, nga Serbia gjatë periudhës raportuese janë importuar mallra në vlerë prej 12.4 milionë eurosh, prej të cilave 3.5 milionë janë lëndë e parë, raporton Koha.

Nga Serbia, Kosova ka importuar grurë, misër për farë, miell prej gruri të zakonshëm, ushqime për kafshë, preparate jorefrakatare sipërfaqësore për fasada, mure të brendshme, dysheme, tavane, spango lidhëse apo ambalazhuese, kontejnerë prej alumini me kapacitet më pak se 50 litra, pllaka, fleta, filma prej plastike, celularë, kuti dhe artikuj të ngjashëm të plastikës, paleta të tjera prej druri si dhe tuba me skesion katror ose trekëndësh.

Dogana ka bërë të ditur se fillimisht ka bërë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme në sistemin ASYCUDA World dhe po ashtu në Tarifën e Integruar të Kosovës (TARIK), si dhe duke marrë në konsideratë pikat 1.1 dhe 1.2 të vendimit të Qeverisë të cilat ndërlidhen me dokumentet dhe certifikatat fitosanitare dhe atyre veterinare, kompetencë e AUV-it, gjatë zbatimit të vendimit të lartcekur i ka kushtuar rëndësi të veçantë kontrollit të dokumentacionit doganor që përcjellin mallrat me qëllim të sigurimit që emërtimet e përdorura të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Komento: