Ja sa para ka ndarë Komuna e Prishtinës për dekorimin e shesheve

14:00 | 06 December 2018

Komuna e Prishtinës sikurse viteve të mëparshme, edhe këtë vit ka menduar për dekorimin e shesheve me rastin e festave të fundvitit.

Këtë vit komuna e Prishtinës ka vendosur të shpenzojë 20 mijë euro më shumë sesa vitin e kaluar për dekorimin e shesheve.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i komunës, Adonis Tahiri.

“Këtë vit janë ndarë 75.000 për dekorimin e shesheve kryesore të Kryeqytetit, për shkak se është shtuar edhe sheshi “Adem Jashari”. Mirëpo në proces të tenderimit, kompania fituese ka ofertuar me 54.000 euro”, ka thënë Tahiri.

Mirëpo ndonëse kemi hyrë në muajin dhjetor dhe festat po afrojnë, komuna ende nuk ka filluar me dekorimin e shesheve.

Sipas Tahirit kjo po ndodh shkaku i ankesës që ka bërë një kompani tjetër në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Meqë kemi pasur ankesë nga një kompani tjetër në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), jemi duke e pritur përfundimin e procesit. Besojmë që OShP do ta trajtojë me prioritet këtë lëndë, në mënyrë që të mos kemi vonesa të mëtutjeshme, dhe ta nënshkruajmë kontratën sa më parë”, ka bërë të ditur Tahiri.

Sipas dosjes së tenderimit të cilën komuna e Prishtinës e ka dorëzuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), bëhet e ditur se ngjyrat të cilat do të mbizotërojnë dekorimet në sheshe janë ngjyra e kuqe dhe e bardhë dhe se afati i fillimit dhe përfundimit të kontratës është 120 ditë.

Bredhat artificial me gjatësi 10 metra do të vendosen në sheshet “Ibrahim Rugova”, “Zahir Pajaziti”, “Adem Jashari” dhe “Nëna Terezë”

Kujtojmë se vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës kishte filluar dekorimin e rrugëve më 29 nëntor.

Tradita e dekorimit të kryeqytetit vazhdon me ndezjen e dritave në shesh nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjë kjo e cila vitin e kaluar është bërë me datën 11 dhjetor.

Më poshtë ua sjellim planin se si ka menduar komuna e Prishtinës që të dekoroj sheshet.

Komento: