Darkat për qytetarët në nevojë, komunës së Prishtinës po i kushtojnë 200 mijë euro.
Në vitin 2017, Komuna e Prishtinës, kishte prezantuar një projekt sipas të cilit thuhej se do të hapej një Kuzhinë Popullore ku do të ushqehen personat në nevojë. Pas dy vitesh, kjo kuzhinë e cila po i kushton buxhetit të komunës 200 mijë euro, është hapur. Aty do të kenë mundësi të ushqehen të gjithë qytetarët të cilët jetojnë me asistencë sociale.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, ka 1 mijë e 681 familje të cilat jetojnë me asistencë sociale. Afro 6 mijë e 647 persona të këtyre familjeve, tash e tutje do të kenë mundësi të ushqehen falas në Kuzhinën Popullore
Mirëpo, kjo kuzhinë ende nuk e ka një lokacion të caktuar, pasi aktualisht është duke u shpërndarë ushqim nëpër shkolla të ndryshme të kryeqytetit. çdo mbrëmje, në orarin e njëjtë, nga ora 18:00.
E sipas komunës, kjo po bëhet që qytetarët në fillim të mësohen me këtë praktikë, që më pas të hapet një vend i caktuar dhe kuzhina të mos jetë më lëvizëse.
Adonis Tahiri, Zëdhënës i Komunës së Prishtinës, ka thënë për Express se gjithë ky projekt komunës po i kushton 200 mijë euro, por ka raste kur kontribuojnë edhe bizneset dhe qytetarët, të cilët sjellin gjëra të ndryshme ushqimore.
“Aktualisht, në Prishtinë janë 1681 familje me asistence sociale, të evidentuara në Drejtorinë për Mirëqenie Sociale. Mirëpo, ky numër mund të ndryshojë nga dita në ditë. Komuna ka ndarë rreth 200.000 euro për Kuzhinën Popullore sivjet. Mirëpo, në vazhdimësi po kemi kontribut vullnetar edhe nga bizneset edhe nga qytetarët”, ka thënë Tahiri.
Ai ka theksuar se përveç njoftimit përmes mediave, vazhdimësi i thërrasin qytetarët edhe në telefon për t’i njoftuar për orarin dhe lokacionin e kuzhinës. Ndërkaq, thotë se momentalisht kjo kuzhinë ka më shumë kapacitet se që ka qytetarë të cilët po shkojnë për t’u ushqyer.
“Deri tani, ka shumë më shumë kapacitet, sesa njerëz që po vinë për t’u ushqyer. Jemi të mobilizuar si Komunë, dhe si Kuzhinë Qendrore, që asnjë nga ata të mos e lëmë pa shujtë të ngrohtë të paktën njëherë në ditë”, ka shtuar Tahiri.
Shërbimi i shujtave të nxehta për qytetarët, momentalisht do të bëhet sipas orarit të tanishëm, vetëm një herë në ditë.
Ndryshe sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pothuajse gjysma e ekonomive familjare në Kosovë në vitin 2017, nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë të ushqyerit çdo të dytën ditë me shujtën me mish, pula, peshq apo ushqim vegjetarian.