Ja sa zyrtarë policorë janë vënë në pranga në një muaj

15:04 | 03 July 2019

Rreth 22 zyrtarë policorë janë arrestuar për një muaj.

Inspektorati Policor i Kosovës mbajti sot një ceremoni me rastin e shënimit të përvjetorit të 13-të.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendore, ndërkombëtare si dhe zyrtarë nga agjencitë homologe nga Republika e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.

Ceremonia u përcoll edhe me fjalë rasti që përshkruan rrugëtimin 13 vjeçar të IPK-së dukë vënë në pah sfidat dhe sukseset e treguara.

Kryeshefja e IPK-së, Miradije Kelmendi në fjalën e saj në këtë ceremoni potencoi sukseset duke falënderuar të gjitha zyrtarët e IPK-së për angazhimet e tyre si dhe partnerët vendor e ndërkombëtar:

Ajo bëri të ditur se 22 zyrtarë policor janë arrestuar në muajin maj.

“Sukseset janë të dukshme, të vlerësuara nga qytetarët dhe partnerët vendor dhe ndërkombëtar. Ato nuk do të ishin evidente pa kontributin e të gjithë punonjësve. Edhe më parë jemi zotuar në luftimin e pa kompromis të dukurive negative dhe krimit në radhët policore, duke synuar një polici që zhvillohet krahas standardeve ndërkombëtare. Për opinionin është i njohur arrestimi i 59 zyrtarëve policorë të njësive të trafikut rrugor dhe autostradës, të realizuar gjatë vitit 2017 dhe i 22 zyrtarëve të tjerë policorë të realizuar gjatë muajit maj të këtij viti.

Kjo dëshmon përkushtimin tonë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjithmonë në drejtim të ngritjes së integritetit policor”tha ajo, duke falënderuar edhe partnerët ndërkombëtarë si ICITAP dhe OSBE-në për përkrahjen e dhënë për IPK-në.

Në këtë ceremoni u ndanë edhe medalje për zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë. Për kontribut të dalluar, përkrahje dhe bashkëpunim me IPK-në medalje i është ndarë prokurorit Sylë Hoxha, menaxheres së programit të ICITAP-it Kimberly Riffe, Ambasadorit të OSBE-së Jan Braathu si dhe udhëheqësit të Divizionit në Departamentin e Hetimeve z. Bardhyl Haxhimustafa.

Me rastin e shënimit të këtij përvjetori, IPK në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut kanë organizuar edhe dhurimin vullnetar të gjakut nga punonjësit e IPK-së.

Komento: