Milanit nuk po i shkojnë punët mirë.
Juventusi fitoi 2-1 ndaj Milanit duke përmbysur golin e Piatek, i cili kaloi kuqezinjtë në avantazh në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë Dybala me 11-metërsh dhe talenti i ri bardhezi, Moise Kean shënuan dy golat që i dhanë 3 pikë të tjera skuadrës së Max Allegrit.
Sfida nisi mjaft mirë për Milanin, që ishte rreshtuar mirë në fushë dhe tregoi një shpirt shumë të lartë gare, duke rrezikuar disa herë kuadratin bardhezi.
Rasti më i mirë ishte ai i minutës së 34-t, kur një krosim i kthyer drejt zonës nga kuqezinjtë, u përplas në dorën e Alex Sandros, por arbitri Fabri djallosi gjithçka.
Ndonëse shkoi të rishikojë aksionin në monitorët e VAR dhe pavarësisht se prekja me dorë e mbrojtësit brazilian të Juves, ishte më se e qartë, Fabri akordoi vetëm goditje nga këndi.
Megjithatë vetëm pak minuta më vonë, në të 39-ën, ishte Bakayoko që rikuperoi një top në gjysmëfushën e Juventusit dhe shërbeu menjëherë për Piatek, ndërsa polaku nuk fali, duke kaluar Milanin në avantazh.
Megjithatë, atë që nuk e bëri në pjesën e parë për Milanin, Fabri e bëri në 45-minutëshin e dytë, kur vërshëlleu një penallti për Juventusin në minutën e 59’, pas një faulli në dëm të Dybalës.
Ishte vetë numri 10 i Juventusit që mori përsipër ekzekutimin e 11-metërshit dhe e konvertoi në gol, duke mposhtur Reinën dhe rikthyer baraspeshën.
Pavarësisht barazimit, sërish protagonistë në fushë ishin kuqezinjtë e Gattusos, që dukej qartë se kishin më shumë dëshirë për të fituar sfidën, ndonëse golin e gjeti Juventusi.
Në minutën e 84-t ishte sulmuesi i ri i talentuar, Moise Kean, që pasi mori një asist nga Pjaniç, gjuajti bukur duke çuar topin në cepin e portës së Reinës dhe duke kaluar bardhezinjtë në avantazh.
Me këtë fitore, Juventusi shkon në kuotën e 84 pikëve dhe matematikisht është vetëm 3 pikë larg titullit të 8 radhazi të kampionit të Italisë. Nga ana tjetër, Milani tashmë duhet të bëjë tifo për Interin nesër në përballjen ndaj Atalantës, për të ruajtur vendin e katërt të renditjes.