Kokaj për notat e dobëta të Dimalit: Kemi folur shqip e anglisht, i ka mendimet e organizuara, koherente.
Deputeti i Vetëvendosjes, Jahja Kokaj, ka dhënë një vlerësim për kolegun e tij, Dimal Bashën, të cilit iu bënë publike notat e dobëta që kishte në shkollë.
Ai e ‘çoi në qiell” Bashën me lëvdata.
“Personi të cilin e përmende mendimet i ka shumë të organizuara, i ka shumë sistematike dhe shumë të qëlluara… Unë kam biseduar me të edhe shqip edhe anglisht,e shoh që organizmi i mendimeve të tij është koherent, është i organizuar, është shumë preciz, i mprehtë në mendime. Ka kulturë shumë të gjerë komunikimi, shihet se ka lexuar, ka kulturë filozofike. Nuk du me i dhënë komplimente pse qenka anëtar i partisë time, por dua ta them realitetin se ai është i përgatitur. Pse ka qenë një herë nxënës i dobët, ajo sipas mendimit tim është irelevante. Indikacioni që të jesh gjithmonë i shkëlqyeshëm flet për një potencialitet gjenetik”, tha Kokaj në “Frontal” të T7.
Kujtojmë që sot gjatë mbledhjes së Komisionit për Arsim, pati një përplasje mes kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe deputetit Dimal Basha.
Me një agresivitet të paparë dhe duke bërtitur deputeti Basha ka qenë shkaktar që Rrahman Jasharaj e ka lëshuar raportimin në Komisionin për Arsim. Madje, Basha e ka ndjekur Jasharajn edhe pasi ky i fundit ka dalë në korridor duke i thënë se “po piskas se nuk merr vesh ti ndryshe”.