Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka quajtur të pashmangshëm intervenimin e NATO-s në Kosovë.
Gjatë shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, po mbahet Konferenca 20 vite Liri: “Një Vizion për Paqe dhe Qëndrueshmëri”.
Ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, gjatë Konferencës për Siguri që po mbahet në Prishtinë, tha se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, 20 vjet më parë, “ishte e pashmangshme”.
“Ishte ndërhyrja më e vendosur e Aleancës që nga krijimi I saj. Pas shterjes se të gjitha masave, ekonomike, politike dhe diplomatike, ndërhyrja ushtarake u bë e pashmangshme, në ndaljen e vrasjeve, dhunës dhe spastrimit etnik që po ndodhte në atë kohë në Kosovë”, tha Jahjaga.
Sipas Jahjagës, Kosova është një tregim i përbashkët i suksesit në mes komunitetit ndërkombëtar dhe vetë popullit të Kosovës, duke shtuar se tash pas 20 vjetësh liri, Kosova do të vazhdojë të prodhojë stabilitet në rajon.
“Bashkë më ndihmën e pakufishme të miqve tanë te Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian dhe aleatëve tjerë perëndimorë, ne kemi në dorë vetë fatet tona dhe varet nga ne se si do t’i drejtojmë ato”.
“Qëndroj me bindje të plotë se Kosova dhe populli i saj perëndimor dhe liridashës do të vazhdojë të prodhojë stabilitet dhe do të jetë ashtu si 20 vjet më parë dhe më tej si pika e ngjizjes se një Ballkani të qetë dhe qëndrueshëm. Sepse ajo është rruga që ne si popull dhe institucion ia kemi trasuar vetës”, tha ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.