Jahti i Abramovichit arrin në Mal të Zi
Jahti “My Solaris” i miliarderit rus, Roman Abramovich ka lundruar në portin e Tivatit në Mal të Zi të shtunën, më 12 mars.
Anija, e gjatë 140 metra, arriti në Mal të Zi disa ditë pasi Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione dhe vendosi të ngrijë asetet e oligarkëve rusë, përfshirë edhe pronat e Abramovichit.
Sanksionet ndaj pronave të miliarderëve rusë, që gjenden në mbarë botën, u vendosën për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Jahti i Abramovichit është ankoruar jo fort larg marinës së Malit të Zi, pranë Kepit të Seljanovës në Tivat.
Sipas ueb-faqes “Marine traffic”, jahti paraprakisht ishte i ankoruar në Barcelonë. Pas Spanjës, ky jaht lundroi drejt jugut të Italisë dhe më pas arriti në Gjirin e Kotorit.