Jakup Krasniqi akuzon rëndë Hashim Thaçin, e quan të vetmin atdhetar të Kosovës

10:33 | 02 March 2019

Jakup Krasniqi përmes një shkimi të gjatë e ka goditur rëndë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate dhe ish – kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj fjalimit të fundit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi të mbajtur në Tiranë. Duke iu referuar fjalëve të Presidentit, Krasniqi ka pyetur “… ndoshta po jetojmë erën kur Kosovën mund ta ‘mbrojë’ edhe një trup i vetëm mbi të cilin nuk mund të kaloi askush?!”.

Krasniqi, përmes një teksti të postuar në Facebook, ka thënë se “Kush mund ta haj karremin e hedhur në Tiranë nga i vetmi atdhetar i Kosovës, se Serbia e cila që 20 vjet e sa nuk ishte e gatshme t’i normalizoj marrëdhëniet me Kosovën, pa ia kthyer ajo kësaj të fundit – Kosovën Lindore (Preshevën, Medvegjën e Bujanocin)?! Ketë karrem të hedhur në Tiranë, mund ta hanë vetën peshqit në Detin Adriatik?!”

“Mua me erdhi keq, për duartrokitjen frenetike, e cila më pas u përcjell me heshtje qyqare, madje jo vetëm në Tiranë. Nuk ka dyshim, është në natyrën njerëzore të mashtrohen e të vetëmashtrohen që dymijë e sa vite, sidomos kur dëgjohen fjalë të mira për veshët”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i plotë i Krasniqit:

“TË LIGJËROSH ME AFSH PATRIOTIK?!

Nuk ka më lehtë sesa të ligjërosh me afsh patriotik para një mase që 70% e saj janë analfabet funksional, të cilët lehtë “mashtrohen” nga fjalët e mëdha të thëna në vetën e parë?! Unë! Unë! Unë! Universitetet e shumta të periudhës se “demokracisë” (publike e private) në Shqipëri e Kosovë na kanë ndihmuar që të shumëzojmë numrin e analfabetëve funksional!

Një mase të tillë, mjafton t’ua thuash në fillim një fjali të mbushur si një tullumbace me patriotizëm patetik, “se unë nuk lejoj (e thënë gjithnjë në veten e parë) pa kaluar mbi trupin tim, te ndryshohet kufiri i Kosovës”?! Dhe pastaj e njëjta fjali demantohet, jo vetëm një herë, më të gjitha fjalitë tjera në vazhdim, fjali që e konfirmojnë jo korrigjimin, por, “zgjerimin” në një anë pa e cekur shkurtimin e madh që mund t;i ndodhë anës tjetër. Zgjerimi a nuk është ndryshim i kufirit? Nuk do të preken kufijtë, por do të zgjerohet Kosova?! Çfarë mrekullie! As zgjerimi i Kosovës nuk qenka ndryshim i kufirit ekzistues? Kjo që dëgjuam dje në Tiranë, thënë më se buti ishte fyerje e inteligjencës të atyre që e dëgjonin e duartrokisnin fjalimin patriotik! Por, edhe të gjithë atyre që ju dedikohej lajmi gjithandej hapësirës shqiptare si një super lajm.

Kush mund ta haj karremin e hedhur në Tiranë nga i vetmi atdhetar i Kosovës, se Serbia e cila që 20 vjet e sa nuk ishte e gatshme t’i normalizoj marrëdhëniet me Kosovën, pa ia kthyer ajo kësaj të fundit – Kosovën Lindore (Preshevën, Medvegjën e Bujanocin)?! Ketë karrem të hedhur në Tiranë, mund ta hanë vetën peshqit në Detin Adriatik?!

Mua me erdhi keq, për duartrokitjen frenetike e cila më pas u përcjell me heshtje qyqare, madje jo vetëm në Tiranë. Nuk ka dyshim, është në natyrën njerëzore të mashtrohen e të vetëmashtrohen që dymijë e sa vite, sidomos kur dëgjohen fjalë të mira për veshët.

Eh! Sikur Kosova të ishte çliruar nga individi, atë do ta bënte Ahmet Delia me sopat e Azem Galica me pak kaçakët që i shkonin prapa. Se paku, ata na e lan prapa një trashëgimi luftarake për lakmi. Mbase situatës i përgjigjet më mirë po të thuhet: Do ta çlironte Bali Katravella me shpatën e tij prej talle! Një gjë dihet se individi as e ka mbrojtur as e ka çliruar dhe as do ta bëjë shtetin funksional të së drejtës. Natyrisht, për ketë nuk është dëshmi për ne shqiptarët vetëm Republika e Kosovës!

Kosova është si të gjitha shtetet e Ilirikut Perëndimor, të Evropës e të OKB-së, por shqiptarët që i kanë hipur në zverk, janë të çakorduar, janë individualistë të skajshëm të cilët shqiptarët në përgjithësi i kanë lënë vetëm me perspektivën e ikjes nga trojet e tyre stërgjyshore! Dje, Lufta i sillte shqiptarët edhe përtej Atlantikut në Luftën e Kosovës, sot, Kosova e lirë po i degdisë edhe më larg se përtej Atlantikut!

Këta njerëz që kanë marr shumë përgjegjësi publike, nuk dinë, nuk donë dhe as që kanë gatishmëri që t’i bëjnë bashkë as edhe dy pleshta për të mirën e kombit, pasi veshët i kanë dyllosur për të mos e dëgjuar as edhe një zë ndryshe, nuk po them zë racional, pasi racional është vetëm zëri i tyre zhurmëmadh! Por, dinë të bëjnë bashkë ndonjë servil e puthador për interesat e tyre krejt personale. Në ketë fushën e fundit janë më shumë se finok, besa edhe shumë të zhdërvjelltë! Zhdërvjelltësi për prapsi!

Apo ndoshta, po jetojmë erën kur Kosovën mund ta e “mbrojë” edhe një trup i vetëm mbi të cilin nuk mund të kaloi askush?!

Amen! Amen! Amen!”, ka shkruar Krasniqi.

Komento: