“Jam i gatshëm të ndihmoj dhe kontribuoj personalisht” – Flet për herë të parë ministri Rashiç në mbledhje të Qeverisë

11:16 | 13 Dhjetor 2022

Për herë të parë që kur u emërua Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç mori pjesë në mbledhje të qeverisë, ku premtoi të “krijojë ura”.

Rashiç, i cili kohëve të fundit ka qenë shënjestër e një fushate të rëndë demonizimi nga autoritetet serbe, i falëndeori pjesëtarët e qeverisë për “mirëpritjen” derisa u kërkoi të gjithëve “durim”.

“Para një jave unë kam hyrë në Qeveri, unë do t’i lusja të gjithë që të kenë durim ndaj meje kur të kërkoj takime me të gjithë ju. Më vjen mirë dhe kam nderin, konsideroj që bë thelb mund të bëjmë dallim nga ajo se çfarë është bërë deri tani”.

“Në këto takime, i pari do të jetë ministri Murati. Jam këtu që të bëjmë ura, nuk jam i ri në këtë punë, 17 vjet përvojë flasin diçka. Por çdo sfidë e re është shans i ri. Unë jam i gatshëm të ndihmoj dhe kontribuoj vetë personalisht”, tha Rashiç.

Kujtojmë se Lista Serbe e ka kundërshtuar emërimin e Rashiçit ministër derisa edhe kanë njoftuar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për opinion.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një shpërthim të pazakontë nervash në televizionin serb Tv Prva, e ka quajtur “llum në fund të koshit” Nenad Rashiçin, derisa ka thënë se ai nuk ka legjitimitet të përfaqësojë serbët e Kosovës.

Rashiç është një nga politikanët e pakët në Kosovës që pranon shtetin e Kosovës dhe bashkëekzistencën politike mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Komento: