Politikani serb, Dushan Janjiq thotë se vendimi për taksë ndaj Serbisë, e ka forcuar Kosovën.
Vendosja e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia, e ka forcuar pozitën e Republikës së Kosovës në dialogun e Brukselit.
Kështu thotë politikani serb, Dushan Janjiq, i cili njëherit është edhe kryetari i këshillit drejtues për marrëdhënie ndëretnike.
Sipas tij Kosova ka arritur që me sukses ta implementojë një vendim të tillë.
“Ata arritën sukses, dhe tani janë më të fortë në negociatat që po vijnë, krahasuar me ato parapraket para vendosjes së taksës”, ka thënë Janjiq për agjencinë e lajmeve Beta, transmeton Gazeta Express.
Ai ka komentuar edhe deklarimet e e presidentit Thaçi të bëra në Washington Post rreth mundësisë së heqjes së taksës. Janjiq thotë se një vendim i tillë nuk do të hiqet, pa marrë diçka në këmbim.
“Taksa do të largohet kur Kosova të marrë diçka në këmbim. Kur e analizon esencën e kësaj mase, ata e kanë bërë për të dëshmuar se Kosova është një shtet”, ka thënë politikani serb.
Janjiq ka thënë se për këta dy muaj sa Serbia po përballet me sfida, pozicioni i Kosovës në arenën ndërkombëtare është përmirësuar dukshëm.
“Kosova ka treguar se ka një qeveri e cila kontrollon gjëra, dhe ka forcuar pozicionin në BE”, ka thënë ndër të tjera Dushan Janjiq.
Sipas deklarimeve të ministrit të Tregtisë së Serbisë, Rasim Ljajic, si pasojë e vendosjes së taksës, Serbia ka humbur disa miliona euro.