Ish-këshilltarja e Haradinajt emërohet jashtëligjshëm konsulle në New York.
Nita Himaduna, ish-këshilltare e kryeministrit Ramush Haradinaj, prej tri javësh ka marrë gradën konsulle dhe është dërguar me mision në Konsullatën e Kosovës në New York të Shteteve të Bashkuara. Rekrutimi i saj është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.
Vendimi, një kopje të të cilit e ka siguruar “Koha Ditore”, është marrë nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Dokumenti mban datën 15 maj dhe ka hyrë në fuqi më 1 qershor.
“Znj. Nita Himaduna emërohet konsulle dhe caktohet të shërbejë në Misionin Konsullor të Republikës së Kosovës në Nju Jork/SHBA, me mandat katër (4) vjeçar. Pas përfundimit të mandatit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk obligohet ta sistemojë znj. Nita Himaduna në Shërbimin e Jashtëm”, thuhet në pikën e parë të vendimit. “Paga bruto e znj. Nita Himaduna është ekuivalente me gradën konsull”.
Mbështetur në legjislacionin në fuqi – Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe Ligjin për Shërbimin Konsullor – konsujt nuk mund të emërohen nëpërmjet çelësit politik. Me çelës politik mund të emërohen më së shumi deri në 50 për qind e shefave të misioneve diplomatike, kurse të gjithë anëtarët e tjerë të stafit diplomatik/konsullor të të gjitha rangjeve, sipas ligjit, duhet të jenë nga radhët e anëtarëve të shërbimit të jashtëm të karrierës. Kjo kërkon që pranimi të bëhet përmes konkursit të hapur.
Butrint Berisha është hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe është autor i një studimi për Shërbimin e Jashtëm. Ai ka treguar se partitë vazhdimisht kundërligjshëm e kanë përdorur shërbimin diplomatik dhe konsullor për të pozicionuar anëtarët ose mbështetësit e tyre. Me fjalë të tjera, partitë kanë ndërhyrë në punën e Shërbimit të Jashtëm kundërligjshëm.