Pavarësisht se kryeministri Avdullah Hoti kishte premtuar se këtë javë do të votohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19, të hënën shefi i Grupit Parlamentar që drejton Qeverinë e Kosovës, Arben Gashi nuk premton por shpreson që do të kaloj ky Projektligj.
Javën e kaluar, ky Projektligj në mungesë të kuorumit kishte dështuar të miratohet nga Komisioni për Buxhet dhe Transfere, shkruan Telegrafi.
Hoti kishte thënë se këtë javë do të arrihet një konsensus që të votohet ky Projektligj.
“Unë sot po jap edhe premtim publik që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike do ta kaloj javën tjetër [këtë javë] dhe do të mbyllet kjo çështje, ku do të definohen të gjitha çështjet, edhe mjetet që do të marrin qytetarët nga kursimet e tyre. Unë besoj se do të mbërrijmë një konsensus të gjerë. Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike i prek të gjithë qytetarët, të gjitha bizneset dhe gjitha familjet pa përjashtim. Unë e kam shpreh disa herë gjatë diskutimit që kemi pasur se jam plotësisht i hapur për të pranuar rekomandime nga të gjitha grupet parlamentare pa përjashtim”, kishte thënë Hoti.
Mirëpo, kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se, shpreson që brenda kësaj javë të kalon Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.
“Kishim mbledhje me Grupin Parlamentar me kryetarin dhe kryeministrin. Diskutuam për çështjen e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe po shpresojmë që brenda javës të kalojë. Prioritet ishte rimëkëmbja ekonomike dhe diskutimet sesi do të arrihet deri te një zgjidhje”, ka thënë Gashi, përcjell Telegrafi.
Gjatë mbledhjes së fundit të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi kishte thënë se Qeveria duhet t’i merr parasysh rekomandimet e tyre, e nëse ato merren parasysh, ai tha se do ta votojnë Projektligjin.
“Jemi në një situatë shumë të pa lakmueshme ku ky Projektligj është bërë një problem ditor i gjithë qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë edhe i komunitetit të biznesit dhe shfrytëzoj këtë takim të Komisionit t’i bëj thirrje partive në pushtet, Qeverisë, që pa humbur kohë të ulet bashkë me grupin tonë parlamentar dhe t’i merr parasysh vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet e Grupit Parlamentar të PDK-së. Në momentin kur ato rekomandime merren parasysh PDK me 24 votat e saj do ta mbështesë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, kishte thënë Gashi, përcjell Telegrafi.
Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi ka thënë se, shprehin gatishmërinë që të ulen dhe të bisedojnë me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje sa i përket Projektligjit.
“Pajtohem që janë sekondat e fundit ku na bëhet thirrje bashkërisht, pajtohem plotësisht që edhe atë ditë kam biseduar me Bedriun që nuk është këtu dhe e kam lutur atë ditë çka mund të bëjmë që të mos i japim ngjyrim politik asaj pjese, por ta bëjmë veç pjesën e interesit ekonomik që ka brenda Projektligji dhe ta bëjmë më mirë. Jam dakord se nëse organizohet ky takim dhe është mirë t’i jepet një shtysë kryeministrit. Ai është dashur të vijë te ne për bisedime”, tha ai.
LDK: Shpresojmë që brenda javës të kaloj Projektligji për Rimëkëmbje
Kurse nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se, është detyrë e Qeverisë që t’i ketë votat për miratimin e Projektligjit.
“Lëvizja Vetëvendosje pavarësisht faktit që e konsideron këtë qeveri jo të ligjshme, në të kaluarën ka përkrahur nismat ligjore, përkatësisht marrëveshjet ndërkombëtare në shërbim të luftimit të pandemisë COVID-19 dhe jo vetëm, për të cilat mbështetja e opozitë ka qenë e domosdoshme – duke qenë se votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon mbështetjen e 80 e më shumë deputetëve. Për çdo dështim të nisma tjetra ligjore që kërkojnë shumicës e thjeshtë për miratim, pra pjesëmarrjen në votim të 61 deputetëve, çka përkon me minimumin e shumicës parlamentare të koalicionit qeverisës, para përgjegjësisë duhet të vihet koalicioni qeverisës përkatësisht qeveria, jo opozita përkatësisht LV. Ky është parimi bazë në demokracinë parlamentare dhe raportit të Qeverisë me Kuvendin. Që nga dita e parë e krijimit të kësaj qeverie, ajo ka qenë e paaftë që të dëshmojë shumicën e nevojshme për të plotësuar programin e saj qeverisës pasi që po e ka të pamundur që të miratojë nismat e saj ligjore – sikurse kjo për masat ekonomike. Është detyrë e Qeverisë që të ketë minimumin e shumicën parlamentare për gjatë gjithë kohës, pra 61 vota, jo vetëm në ditë e formimit të saj”, kishte thënë për Telegrafin zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu.
Në fillim të muajit nëntor, kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky Projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.