Javën e ardhshme vendoset fati i këshilltarit amerikan të Kurtit

16:42 | 14 Tetor 2020

Fati i këshilltarit amerikan të Kurtit vendoset javën e ardhshme.

Pas kërkesës së Avokatit të Popullit, kryeministri Avdullah Hoti të premten e kaluar vendosi të pezullojë vendimin e MPB’së për dëbimin nga Kosova të këshilltarit të Kurtit, Tienmu Ma. Në vendimin për pezullim, shefi i qeverisë është shprehur se do të pres përfundimin e hetimit të këtij procesi nga Institucioni i Avokatit të Popullit. I kontaktuar nga Gazeta Express, Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se janë duke mbledhur informata dhe do të dalin me rekomandim gjatë javës së ardhshme në lidhje me vendimin për dëbim.

Vendimin e ministrisë së Agim Veliut për të mos i dhënë lejeqendrim ish-këshilltarit të Albin Kurtit, Tienmu Ma, ka vendosur ta pezullojë kryeministri Avdullah Hoti pas kërkesës së Avokatit të Popullit.

Naim Qelaj i cili është zgjedhur rishtazi në postin e Avokatit të Popullit i tha Gazetës Express se akoma janë në fazën e grumbullimit të informatave në lidhje me vendimin për dëbim të Tienmu Ma.

“Jemi në fazë të hetimit, jemi duke i grumbulluar informatat dhe besoj që shumë shpejt e përfundojmë si rast. Ne kemi kërkuar informacion shtesë prej MPB’së lidhur me faktin se vendimi i parë me të cilin është ndaluar vendosja për kërkesat për çerfikatë, azil e çka duhen lejeqendrime tjera është në fuqi dhe pastaj në bazë të këtij informacioni ne me siguri do të marrim një vendim”, ka thënë Qelaj,

Ai ka shtuar se kanë parë bazë në vendimin e MPB’së prandaj kanë kërkuar pezullim e këtë e se këtë çështje do ta trajtojnë me urgjencë.

“Ne kemi parë bazë prandaj kemi bërë kërkesë për pezullim, përndryshe ne akoma nuk kemi dalë me një qëndrim se sa e bazuar është ankesa , atë do ta vendosim më vonë është pasi që t’i kompletojmë informacionet dhe besoj shumë shpejt do të vendosim sepse për ne është një çështje me urgjencë. Vet fakti që është pezulluar vendimi neve na bën me qenë më të kujdesshëm në kohë dhe besoj që deri në fund të javës tjetër kemi me dalë me qendrim”, ka thënë ai.

Avokati i Popullit tutje tha se beson që MPB’ja do ta respektojë rekomandimin e këtij institucioni në lidhje me dëbimin e këshilltarit të Albin Kurtit.

“Në bazë të gjetjeve ne dalim me rekomandime, dhe do ta dalë një raport përfundimtar nga ekipi i veçantë me ekspertë të lëmisë që veprojnë brenda institucionit të Avokatit të Popullit. Deri më sot nuk besoj që ka ndodhur mos me i respektu rekomandimet e Avokatit të Popullit, edhe në këtë rast jam i sigurt që rekomandimi ynë do të respektohet. Duke e parë edhe vet gatishmërinë e Zyrës së Kryeministrit ku në vendimin për pezullim ka qenë një përgjigje e shpejt, një përgjigje korrekte në suaza të mandatit kushtetues që e kanë dhe ligjor dhe në këtë drejtim nuk ka vërejtje”, u shpreh Qelaj.

Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka marrë vendim që të mos i vazhdohet lejeqendrimi në Kosovë, shtetasit amerikan Tienmu Ma.

“Kërkesa e shtetasit të huaj për lejeqëndrim është refuzuar për shkak se nuk janë plotësuar kriteret ligjore sipas Ligjit për të Huajt”, thuhej në përgjigjen e MPB’së për Gazetën Express.

Vendimi për dëbim ngjalli reagime të shumta, duke e quajtur deportimin e shtetasit amerikan si politik dhe hakmarrës.

Avokati i Tienmu Ma, Tomë Gashi kishte deklaruar se Ministria e Agim Veliut ka marrë vendim hakmarrës ndaj Tienmu Ma pasi i njëjti ka shërbyer si këshilltar i Albin Kurtit dhe ka hartuar raportin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq në vitin 2018.

Këto akuza i ka mohuar kategorikisht ministri Agim Veliu i cili në një prononcim për Gazetën Express kishte deklaruar ditë më parë se vendimi nuk është hakmarrës dhe bazohet në procedura administrative.

Lidhur me dëbimin e shtetasit amerikan Tienmu Ma ka reaguar edhe profesori i Universitetit “Yale” James Silk i cili ka dërguar një shkresë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan, Mattheë Palmer, Ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett dhe kryeministrit Avdullah Hoti duke kërkuar anulimin e vendimit për deportim.

Ndërkaq, ish-këshilltari i Ramush Haradinajt, Michael O’Reilly më 6 tetor u është drejtuar me nga një letër kryeministrit Avdullah Hoti dhe Avokatit të Popullit, Naim Qelaj lidhur me dëbimin e shtetasit amerikan Tienmu Ma, duke thënë se një vendim i tillë merret vetëm në vende me regjim totalitar.

Komento: