Italia në krizë politike, jep dorëheqje kryeministri Giuseppe Conte.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ia ka dorëzuar dorëheqjen presidentit të vendit, duke shpresuar se do t’i ofrohet mundësia për të formuar koalicion të ri dhe për të rindërtuar shumicë të re parlamentare.
Shteti i Evropës Jugore është futur në krizë politike në kohën e pandemisë dhe kjo po ndikon që luftimi i virusit që ka vrarë mbi 85.000 italianë të jetë më i vështirë. Italia ka shifrën e dytë më të lartë të viktimave në Evropë dhe të gjashtën më të lartën në botë.
Conte e humbi shumicën në Dhomën e Lartë javën e kaluar, kur partnerja e koalicionit, partia Viva Italia, e udhëhequr nga ish-kryeministri Matteo Renzi, u largua nga qeveria për shkak të mospajtimeve rreth menaxhimit të situatës me pandeminë dhe recesionit ekonomik.
Përpjekjet për t’i bindur senatorët e pavarur dhe ata të qendrës për të hyrë në koalicion janë treguar me pak sukses, duke mos i lënë mundësi tjetër kryeministrit pos të japë dorëheqje. Ky hap pritet t’i japë më shumë kohë Contes për të gjetur një marrëveshje, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, pritet që ta pranojë dorëheqjen e kryeministrit dhe të mbajë konsultime të menjëhershme me liderët e partive të mërkurën dhe të enjten për të kërkuar zgjidhje të krizës politike.
Nëse presidenti beson që Conte mund ta sigurojë përkrahjen e nevojshme për formimin e një qeverie të re pa zgjedhje, ai do t’ia ofrojë disa ditë kohë për të arritur marrëveshje për kabinetin e ri.
Deri më tani, partitë kryesore të koalicionit, Lëvizja 5 Yjet dhe partia Demokratike, e kanë përkrahur vazhdimin e qëndrimit të Contes në pushtet.