Statovci (Guxo): KEK-u me Nagip Krasniqin ka pasur rritje të efikasitetit dhe profitit.
Deputetja e partisë, Guxo, Jeta Statovci, thotë se drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj në rastin e kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Ajo në emisionin e ekonomisë, Portofol, në Klan Kosova FM ka thënë se me të kë krye kjo korporatë është kthyer nga humbjet të jetë në fitim.
“Korporata ka pasur rritje të efikasitetit. Vitin e kaluar e ka mbyllur me 107 milionë euro profit”, është shprehur Statovci, e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në rrethanat aktuale sikleti po vjen jo se ka keqpërdorime, por nga pamundësia e keqpërdorimit. Kur kemi ardhur [në pushtet], kemi qenë të parët që kemi kërkuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit që të hyjë në këtë institucion. Për herë të parë një raport i tillë është bërë në vitin 2022”.
Lidhur me paraburgosjen e Krasniqit, Statovci, thekson se nga ajo që ka parë, kontrata për të cilën akuzohet ai, është shkëputur prej vetë atij.
“Nuk është realizuar asnjë pagesë dhe nuk e di se ku është dëmi. Mbetet të shihet se ku është dëmi”.