
Analisti politik Jeton Kelmendi, në emisionin Gazeta ka deklaruar se ish presidentja Vjosa Osmani pritet të rikthehet aktivisht në skenën politike me një iniciativë të re, shkruan Gazeta 10.
Sipas tij, Vjosa Osmani, për shkak të moshës dhe përvojës, ka ende rol për të luajtur në politikë dhe nuk pritet të tërhiqet nga angazhimi publik.
“Unë besoj dhe pres që Vjosa Osmani të futet në politikë. Është e re dhe, duke e njohur atë, duhej të vazhdonte me politikë. Ajo është edhe pedagoge,” ka deklaruar Kelmendi.
Ai ka shtuar se rikthimi i saj mund të vijë përmes një iniciative të re politike, e cila sipas tij ka gjasa të bashkëpunojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por jo domosdoshmërisht si pjesë formale e saj në këtë mandat.
“Pres që ajo të krijojë një iniciativë, e cila do të jetë në koalicion me LDK-në. Nuk do të futet brenda saj, të paktën jo në këtë mandat,” theksoi ai.
Kelmendi ka vlerësuar se një pjesë e elektoratit të LDK-së mbetet e lidhur me Osmanin dhe mungesa e saj mund të ndikojë në mbështetjen zgjedhore të partisë.
“Elektorati i kësaj LDK-je, pa Vjosën, nuk e di nëse do ta votojë dikush. Shumica mund të mos e votojë,” u shpreh ai, duke shtuar se një pjesë e mbështetësve të dikurshëm, të lidhur me frymën “Guxo”, mund t’i rikthehen asaj.
Në këtë kontekst, ai parashikon një bashkëpunim të mundshëm politik mes Vjosa Osmanit dhe LDK-së në të ardhmen.
Deklarata e plotë: