
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka zgjeruar hetimet lidhur me rastin e dhunës ndaj një nxënësi në shkollën fillore “Pavarësia” në kryeqytet.
Cak i hetimeve tashmë është edhe drejtori i kësaj shkolle, Halil Brahaj. Lajmi është konfirmuar nga prokurorja e rastit, Jehona Grantolli, e cila njoftoi se drejtori Brahaj është intervistuar gjatë ditës së sotme nën dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
“Sot i kemi intervistuar të dyshimtit, nuk është ndaluar. Është intervistuar për veprën penale keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare”, deklaroi Grantolli.
Hetimet fillimisht kishin nisur pas raportimeve për dhunë brenda hapësirave të shkollës, ndërsa përfshirja e drejtorit në procesin hetimor vjen pas grumbullimit të informacioneve të reja mbi mënyrën se si është menaxhuar situata ose roli i tij në ngjarje.
Pamjet janë publikuar nga “Betimi për Drejtësi” ku shihet drejtori duke i sulmuar fizikisht nxënësit:
Ditë më parë u raportua se si një mësimdhënës i po kësaj shkolle kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi.