Jo vetëm Juniku, edhe kjo komunë e Kosovës rinisë mësimin nesër

22:14 | 20 Janar 2019

Duket se greva në arsim ka filluar të bojkotohet nga disa komuna të Kosovës.

Pas Junikut, edhe Komuna e Mamushës ka vendosur të bojkotojë grevën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Në Mamushë, nesër do të rinisë procesi mësimor.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Abdulhadi Krasniç.

Nëpërmjet një njoftimi, të publikuar në Facebook, Krasniç ka njoftuar se të hënën do të fillojë gjysmëvjetori i dytë në shkollën fillore “Anadolu”, dhe në gjimnazin “Ataturk”.

Vendimi i Komunës së Mamushës për të rinisur mësimin vjen pavarësisht vendimit të SBASHK’ut për të vazhduar grevën, edhe pas ofertës së Qeverisë Haradinaj për të rritur pagat e mësimdhënësve për 20 milionë euro në vit.

Nëpërmjet një komunikate për media, SBASHK’u ka thënë se oferta e kryeministrit Ramush Haradinaj “nuk i plotëson kërkesat”.

Komento: