Joe Biden nis fushatën presidenciale, mban fjalim para punëtorëve

13:45 | 29 April 2019

Joe Biden ka hapur kandidaturën për president të Amerikës.

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, do ta mbajë tubimin e parë zgjedhor si kandidat për president të SHBA-së të hënën në Pittsburgh.

Ai do ta mbajë një fjalim para punëtorëve që janë anëtarë të sindikatave të ndryshme, përkrahja e të cilëve mund të jetë çelësi i fitores në fazën e parë të garës.

Biden e bëri publik kandidimin e tij për president javën e kaluar dhe po llogarit në mbështetjen e sindikatave të punëtorëve për suksesin e tij në këtë garë. Sidoqoftë, analistët parashikojnë që sigurimi i mbështetjes së tyre nuk do të jetë punë e lehtë për ish-presidentin.

Grupi i kandidatëve për president brenda Partisë Demokratike përbëhet nga 20 garues, shumë prej të cilëve po mundohen që me çdo kusht ta marrin përkrahjen e sindikatave.

Gjatë kohës sa kishte shërbyer si zëvendëspresident, Biden ishte pjesë e një administrate që solli politika të përshtatshme për klasën punëtore, por gjithashtu ndikoi në arritjen e marrëveshjeve tregtare me Kolumbinë, Panamanë dhe Korenë Jugore, pavarësisht ankesave të disa sindikatave.

Para se kandidati favorit ta mbajë fjalimin para punëtorëve, gjashtë kandidatë tjerë demokratë mbajtën të shtunën tubime të ngjashme në Las Vegas. Ata premtuan politika mbështetëse për punëtorët, përfshirë pagën minimale prej 15 dollarësh për një orë pune, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Komento: