Johnson: Kosova e Serbia mund të bëjnë një marrëveshje finale që s’do t’i pëlqejë asnjërës palë

15:26 | 13 September 2019

Senatori amerikan ka folur së fundi për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi.

Ron Johnson, në një intervistë për shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës, ka thënë se Kosova dhe Serbia mund të bëjnë një marrëveshje finale e cila mund të mos pëlqehet nga asnjëra palë.

Këto deklarata Johnson i ka bërë në një intervistë për Zërin e Amerikës, teksa i është përgjigjur pyetjes se çfarë kompromisesh duhet të bëjnë Kosova dhe Serbia për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre.

Senator Ron Johnson: Në të vërtetë, u takon udhëheqësve në Kosovë dhe Serbi të përcaktojnë nëse mund të arrijnë marrëveshje.

Ky është udhëtimi im i katërt në rajon, ku u takova me të dy presidentët dhe pata një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Serbisë, Vuçiç, i cili tha se ishte hera e nëntë që takoheshim.

Pra, kam qenë mjaft i përfshirë këto dy vitet e fundit. Ajo që mund të them është se në të dyja vendet ka udhëheqës që e kuptojnë se është në interesin e të dyja vendeve që t’i lënë mënjanë dallimet dhe të arrijnë një marrëveshje. Mirëpo, gjetja e kësaj marrëveshjeje ka qenë më e vështirë. Të dyja vende kërkojnë një përfshirje më të madhe të SHBA. Mendoj se ata e vlerësojnë ndihmën që evropianët u kanë dhënë. Por, le ta themi hapur: Amerika është fuqi e madhe dhe ata kërkojnë një rol më të madh udhëheqës amerikan. Unë mendoj se ne do t’ua ofrojmë këtë, por jo në kuptimin e imponimit të diçkaje, jo në kuptimin e presionit për të bërë diçka, por thjesht duke qenë mbështetës të përpjekjeve të tyre dhe duke u përpjekur për krijimin e kushteve që udhëheqjet e të dyja vendeve të mbështeten te përkrahja e Amerikës dhe e Evropës pasi të kenë arritur një marrëveshje.

Kjo është e domosdoshme për të bindur popullin e Kosovës dhe të Serbisë, sepse ajo mund të jetë një marrëveshje të cilën ata mund të mos e pëlqejnë, pikërisht si Marrëveshja e Prespës. Qytetarët e Greqisë dhe asaj që sot është Maqedonia e Veriut nuk ishin të kënaqur me të. U desh guxim politik për ta arritur atë marrëveshje. Besoj se të dyja këto vende, pas jo shumë muajsh do ta kujtojnë këtë dhe do të thonë: përse e bëmë aq të madhe? Pse u grindëm aq shumë?

Ne duhet t’i theksojmë popullit të Serbisë dhe të Kosovës se është në interesin e tyre dhe do të kenë shumë përfitime në aspektin e integrimit të mëtejshëm në ekonominë evropiane, të udhëtimeve pa viza dhe të ekonomive më të suksesshme. Sepse me arritjen e asaj marrëveshjeje, do të kishte më shumë gjasa për tërheqjen e investimeve të huaja. Do të kishte shumë përfitime pasi të kapërcehet ky ngërç. Pra, detyra e SHBA por edhe e atyre udhëheqësve është të bindin njerëzit, jo domosdoshmërisht për marrëveshjen, sepse kjo do të ishte punë e vështirë, por për përfitimet nga arritja e marrëveshjes dhe nga kapërcimi i ngërçit të tanishëm.

Komento: