Rusia nuk e ka ndërmend të ndalë luftën.
Kryeministri britanik Boris Johnson beson se Vladimir Putin synon të “dyfishojë” sulmin e tij në Ukrainë, pasi presidenti rus parasheh se nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse “të vazhdojë me shkatërrimin”.
Kryeministri përshkroi momentin kur u zgjua në mes të natës me lajmin e granatimeve ruse të një centrali bërthamor në Ukrainë më 4 mars, duke thënë se siguria evropiane është “po aq e rrezikuar” nga një sulm i tillë.
Termocentrali më i madh bërthamor i Evropës u godit nga bombardimet ruse herët të premten, duke shkaktuar një zjarr dhe duke rritur frikën për një fatkeqësi që mund të prekë të gjithë Evropën qendrore për dekada të tëra, si shkrirja në centralin e Çernobilit më 1986.
Shqetësimet u zbehën pasi autoritetet ukrainase njoftuan se zjarri ishte shuar dhe ndonëse kishte dëmtime në ndarjen e reaktorit, siguria e njësisë nuk u ndikua.
Por, edhe pse centrali bërthamor i Zaporizhjas ka një dizajn të ndryshëm nga ai i Çernobilit dhe është i mbrojtur nga zjarri, ekspertët e sigurisë bërthamore dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike paralajmërojnë se lufta brenda dhe rreth këtyre objekteve paraqet rreziqe ekstreme.