Jonuzi: Qeveria “Kurti” s’ka gatishmëri t’i dëgjojë problemet e minatorëve

08:47 | 27 Qershor 2024
jonuzi:-qeveria-“kurti”-s’ka-gatishmeri-t’i-degjoje-problemet-e-minatoreve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para se të vinte në pushtet ishte zotuar se do të siguronte një model të ri të qeverisjes së resurseve minerare, duke premtuar kështu ringritjen dhe avancimin e tyre. Ai  kishte premtuar edhe futjen e teknologjisë së re, për të zhvilluar metalurgjinë, por një gjë e tillë ende s’ka ndodhur.  Minatorët e ndërmarrjes “Trepça”, po vazhdojnë të hasin me probleme të njëjta, duke pasur vonesa me marrjen e pagave me kohë e me kushte të vështira të punës.

Se minatorët nuk janë aspak të kënaqur me punën e Qeverisë e thotë edhe kryesindikalisti i ndërmarrjes “Trepça”, Ibrahim Jonuzi.

Ai thotë se pushteti aktual nuk ka gatishmëri me u taku me sindikatën për problemet e minatorëve. Ai bëri të ditur se minatorët s’kanë marr paga që një muaj.

Sipas tij, ndërmarrja nuk ka kapacitete t’i paguaj punëtorët në “Trepçë” pa ndihmën e Qeverisë.

“Qeveria nuk ka gatishmëri me u taku me sindikatën për t’i dëgjuar problemet. Ende nuk kanë dalë pagat, ata kanë filluar punën me shpresë që dalin pagat. Ne nuk kemi kapaciteti me i realizua pagat për 1200 punëtorë” ka thënë ai.

Më tutje Januzi ka kritikuar Qeverinë për mos përkrahjen ndaj minatorëve.

“Qeveria për momentin për minatorët nuk po bënë asgjë. Pa ndihmën e Qeverisë nuk mund të dalim prej kësaj situate, duhet ta gjejmë mirëkuptimin. Është e pamundur me u rikthye në një stabilitet në prodhim më të lartë”. 

Front Online ka kontaktuar edhe kryeshefin e Trepçës për të marr një përgjigje lidhur me mungesën e pagave për minatorët.

Kryeshefi Bashkim Kurti ka deklaruar se në këtë ndërmarrje është funksionale dhe pagat do dalin.

“Gjithçka është duke funksionuar në normalitet. Pagat do t’i marrin”, ka thënë shkurt Kurti.

Komento: