Jose Mourinho: Të sulmohem nga njerëz të dënuar për baste, kjo më bën të lumtur

13:33 | 07 May 2023

Mourinho: Të sulmohem nga njerëz të dënuar për baste, kjo më bën të lumtur.

Jose Mourinho ka falënderuar futbollistët e Romës për paraqitjen ndaj Interit, pavarësisht humbjes, por gjithashtu pati disa fjalë për kritikuesit e tij.

Roma pësoi humbje në shtëpi (0:2) ndaj Interit, teksa ishte me tre mungesa, derisa Andrea Belotti thuhet se luajti pavarësisht se kishte një brinjë të çarë, ndërsa Paulo Dybala hyri në fushë për 20 minutat e fundit, transmeton Gazeta Express.

Pas fishkëllimës për fundin e ndeshjes, Mourinho mblodhi të gjithë skuadrën e Romës rreth tij në fushë, mbajti një fjalim të shkurtër dhe më pas i mori ata për të përshëndetur tifozët, por çfarë tha ai?

“E thjeshtë, u thashë atyre se ndihesha tepër krenar për gjithçka që kishin bërë, përpjekjet e atyre që ishin të lodhur, që luanin me njërën këmbë, që luanin me një frakturë ndër brinjësh dhe injeksione qetësuese, fëmijët që dhanë kontributin e tyre dhe atëherë një stadium që është absolutisht i pabesueshëm. Këta djem kanë qenë në gjendje të ndërtojnë diçka fantastike me këta tifozë”, tha Mourinho për “DAZN”.

“Ju më njihni, një humbje është gjithmonë e vështirë për mua të gëlltitet, por unë shkoj në shtëpi me krenari të pamasë në zemër. Ata kanë një ditë pushimi nesër, unë do të jem në ekipin e të rinjve dhe më pas do të fillojmë sërish punën”, shtoi ai.

Si çdo intervistë pas ndeshjes tani, Mourinho u fokusua tek mungesa e futbollistëve në dispozicion, jo vetëm për shkak të dëmtimeve.

“Sot luajtëm kundër skuadrës më të mirë në Itali, që është në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, lojtarët e mi janë të rraskapitur. Mancio, Lorenco, Cristante, ata luajnë gjatë gjithë kohës. Po ju them, kur erdha Bove po dilte në huazim te Triestina dhe megjithatë sot filloi kundër Interit. Kjo më bën të lumtur.”

Si gjithmonë, “Special One” i drejtoi kritikat edhe ndaj arbitrit, por këtë herë edhe disave që nuk e panë me dashamirësi sjelljen e tij pas barazimit të mesjavës me Monzan.

“Pas kësaj, ka incidente gjatë lojës që nëse klubi dëshiron të flasë për këtë, përndryshe nuk do të jem unë ai që do të flas. Sidomos pasi u shkatërrova, më sulmuan etikën dhe edukimin tim në media. Por, edhe mua më jep gëzim, sepse të sulmohem nga dikush që u dënua me tre vjet për baste në futboll, kjo më bën të lumtur. Mirupafshim!” deklaroi Mourinho, pastaj u largua dhe refuzoi çdo pyetje.

Ai mesa duket i referohej Renzo Ulivierit, Presidentit të Shoqatës së Trajnerëve Italianë.

Ulivieri ishte një nga shumë të kapur në skandalin Toronero-bis të vitit 1986.

Komento: