
Ish-zyrtari i lartë i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward P. Joseph, ka shpjeguar mënyrat se si Serbia mund të vihet përballë realitetit në Ballkanin Perëndimor.
Eksperti amerikan theksoi se Serbia nuk ka alternativë tjetër strategjike përveç integrimit në Bashkimin Evropian, duke shtuar se “Serbia nuk mund të shndërrohet në një Bjellorusi të Evropës”.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe veçanërisht NATO duhet të përdorin ndikimin e tyre për ta shtyrë Beogradin drejt një vendimi të qartë politik.
“Kam argumentuar se këta aktorë duhet të ushtrojnë presion të koordinuar. Gjithashtu kam theksuar se avancimi i Kosovës drejt NATO-s do ta detyronte Serbinë të përballet me realitetin”, deklaroi Joseph.
Duke komentuar propozimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama për anëtarësimin e Serbisë dhe Shqipërisë në BE pa të drejtë vetoje, Joseph e cilësoi këtë ide si një “kal të Trojës”.
Sipas tij, një qasje e tillë mund të shkaktojë përçarje brenda vetë Bashkimit Evropian, veçanërisht në kontekstin e zgjerimit të ardhshëm.
Ai shtoi se në rastin e Serbisë, qëllimi duket të jetë frenimi i përparimit të shpejtë të Malit të Zi drejt BE-së, duke bërë një krahasim me qëndrimin e presidentit rus Vladimir Putin ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE.
“Për Vuçiçin, një zhvillim i tillë do të përbënte një humbje strategjike dhe një poshtërim politik”, përfundoi Joseph./berliner-zeitung