Borrell: BE i ka marrë përgjigjet për propozimin franko-gjerman nga Kurti e Vuçiq.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, ka pohuar se Bashkimi Evropian ka marrë përgjigje për propozimin franko-gjerman nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët. Ne jemi duke i studiuar ato”, ka thënë Borell.
“Shpresoj se ai (propozimi) do të përfaqësojë një ndryshim dhe një hap përpara në këtë proces”, shtoi ai në prag të takimit të ministrave të jashtëm të G7 në Munster, transmeton Shërbimi i Jashtëm Evropian (EEAS).
Diplomati spanjoll theksoi se “korniza e re” për dialogun iu është prezentuar palëve fillimisht para stinës së verës “për të kapërcyer gjendjen e përhershme të krizës në të cilën kemi punuar dhe për të kërkuar një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre”.
Ai ka vlerësuar se momentumi i krijuar pas angazhimit të Gjermanisë dhe Francës, duhet shfrytëzuar.
“Dhe mendoj se ky është një rast i mirë që duhet shfrytëzuar për t’i bërë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit – le të themi – më normale, sepse, në mënyrë që të dy të përparojnë në rrugën e tyre evropiane, ky normalizim i marrëdhënieve është shume e rëndësishme”.