Borrell lavdëron Kurtin dhe Vuçiqin, thotë se në heqjen e barrikadave mbizotëroi diplomacia.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka lavdëruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se vepruan mirë për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.
“Diplomacia mbizotëroi në de-eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës. Dhuna kurrë nuk mund të jetë zgjidhje. Unë mirëpres lidershipin e arsyeshëm të presidentit Vuçiq e kryeministrit Kurti. Një punë ekipore e shkëlqyeshme BE-ShBA-NATO. Faleminderit të gjithë të përfshirëve. Tani na duhet përparim urgjent në dialog”, shkroi Borrell në rrjetin social.
Ndërkohë liderët kosovarë e ata serbë folën ndryshe për situatën e krijuar me heqjen e barrikadave që nisi të enjten, njofton Klan Kosova.
Pak para mesnatës nga kazerma ushtarake në Rashkë pranë kufirit me Kosovën, Aleksandar Vuçiq, kumtoi lajmin se barrikadat e vendosura nga serbët do nisin të hiqen. Ai tha se u plotësuan gjitha kushtet që ata i kishin.
Me garanci të forta që shtoi se erdhën nga Uashingtoni e Brukseli, presidenti serb theksoi se morën zotimin që Prishtina zyrtare nuk do t’i hetojë pjesëmarrësit në barrikada e protesta. Ai lexoi pasazhe të letrës që thotë se përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, ia kishin thënë në takim.
“Ne për asgjë s’i besojmë Albin Kurtit. Nëse vazhdon me arrestime dhe terrorin ndaj popullit serb ne ‘do ta mbyllim veriun e Kosovës, për institucionet e Prishtinës. Atëherë do vendosim barrikada të cilat kurrë më nuk do hiqen e të cilat për Prishtinën do jenë kufiri që kurrë s’do e kalojë’”, tha Vuçiq.
Nga ana e tij kryeministri Albin Kurti, nuk foli për ndonjë pajtim për të cilin tash e 24 orë po flet pala serbe. Ai e komentoi nisjen e heqjes së barrikadave, gjatë ndejës së fundvitit me gazetarë.
“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan vetën”, theksoi Kurti.