
Edward Joseph, profesor në Universitetin John Hopkins, ka theksuar rëndësinë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor duke thënë se, kur rajoni s’është i sigurt, as ‘’Evropa s’është e sigurt’’.
Joseph, në intervistën e dhënë për “Danas“, ka vlerësuar se, paqëndrueshmëria në këtë rajon, në masë të madhe rrjedh nga çështja e pazgjidhur nga ndarjet që janë brenda Evropës për këtë Kosovën, dhe për ‘’mënyrën se si mund të adresohet’’ kjo çështje.
‘’Unë, së bashku me bashkautorët, shkrova raportin “Nga kriza në konvergjencë”, i cili paraqet një teori gjithëpërfshirëse të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në Ballkan. Sipas mendimit tim, i gjithë problemi qëndron në ndarjet në Evropë rreth Kosovës. Arsyetimi – dhe mënyra se si mund të adresohet – është përshkruar shkurt në përmbledhjen ekzekutive’’, ka deklaruar ai.
Ai ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se ky proces ‘’mund të zgjidhë ende probleme dhe kriza të vështira’’.
‘’ Do të flas shumë saktë për rrugën përpara. Së pari, dialogu mund të zgjidhë ende probleme dhe kriza të vështira, siç e kemi parë së fundmi me lëvizjen rreth Ligjit për të Huajt. Së dyti, zgjidhja e vërtetë qëndron në riorientimin strategjik të Beogradit. Po, siç u përmend, Kurti është një partner shumë i vështirë – siç shihet në heqjen dorë nga modeli i suksesshëm i votimit dhe lëvizje të tjera të pakoordinuara. Por le të kujtojmë paraardhësin e tij Avdullah Hoti. Edhe unë e njoh atë dhe ai ishte krejt e kundërta e Kurtit në çdo mënyrë. E megjithatë, Beogradi e minoi në mënyrë të dukshme Kryeministrin Hoti me provokime të hapura menjëherë pas Marrëveshjes së Uashingtonit në vitin 2020. Prandaj, mund të jemi të qartë në lidhje me dialogun: për sa kohë që Beogradi i përmbahet një “balance” imagjinare dhe refuzon të përcaktojë qartë rrugën drejt BE-së, nuk mund të presim ndonjë përparim me Kosovën. Dhe kjo krizë e zgjatur është në dëm të qytetarëve serbë në Kosovë. Përsëri, siç e thashë, rruga drejt NATO-s për Serbinë dhe Kosovën i jep fund të gjitha këtyre’’, ka deklaruar Joseph mes tjerash.