E konfirmon Klopp: Shaqiri nuk është i gatshëm për Evertonin.
Xherdan Shaqiri vazhdon të mbetet jashtë fushave edhe përkundër pushimit të gjatë prej tre muajsh të Ligës Premier.
Ylli nga Kosova nuk ka arritur të rikuperohet as për takimin e xhiros së 30-të në Ligën Premier, ku Liverpool do të përballet me rivalin lokal Evertonin.
Ka qenë trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp që ka konfirmuar se Shaqiri nuk është i gatshëm për këtë takim.
“Shaqiri është i lënduar dhe nuk është gati, por ai është në rrugë të mirë për tu rikthyer”.
“Xherdani ka stërvitur shumë, por jo rregullisht me pjesën tjetër të ekipit”, ka thënë Klopp në konferencën për shtyp.
28-vjeçari nga Gjilani këtë edicion ka pasur shumë probleme me lëndime dhe ai ka luajtur vetëm 10 ndeshje në të gjitha garat me kampionin aktual të Evropës.
Mediat angleze kanë raportuar se e ardhmja e tij në Anfield është e pasigurt, pasi Liverpool mendon shitjen e gjilanasit në verë për një shumë prej 25 milionë euro.
Liverpooli do të jetë mysafir i Evertonit në Goodison park të dielën me fillim nga ora 20:00.