Juristët: Kosova s’mund të bëjë padi ndaj Serbisë për krimet e luftës, edhe pas antarësimit në KiE

17:33 | 30 Prill 2024
juristet:-kosova-s’mund-te-beje-padi-ndaj-serbise-per-krimet-e-luftes,-edhe-pas-antaresimit-ne-kie

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është jurist me profesion, ditë më parë tha se me t’u anëtarësuar Kosova në Këshillin e Evropës, familjarët e personave të pagjetur të zhdukur me dhunë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut ku mund ta padisin Serbinë.

Por ndryshe nga presidentja mendim tjetër kanë juristët për këtë çështje, sipas tyre një padi e tillë nuk mund të bëhet edhe pas antarësimit në KiE.

Kryeziu: OKB-ja e ka Gjykatën për krime lufte dhe për gjenocid, padia s’mund të bëhet në KiE

Ish- gjyqytari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, thotë se nuk mund të bëhet një padi e tillë edhe pas antarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kryeziu për Front Online tha se është një gjykatë tjetër e veçantë për gjenocid, çështje kjo që shkon përmes OKB-së ,sepse Strasbugu merret vetëm me mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“Këto janë probleme të natyrës ndërkombëtare, sa kom njohuri, unë e di që nuk mund të bëhet një padi e tillë, duhet me qenë një gjykatë tjetër e veçantë për gjenocid. Strasburgu është veç për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, e kjo shkon nëpërmjet OKB-së. OKB-ja e ka gjykatën për krime lufte, për gjenocid e për të gjitha këto. Përndryshe kjo është ekskluzivisht në Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut”, tha Kryeziu.

Poashtu, Kryeziu thekson se gjykata e Strasburgut është një lloj gjykate Kushtetuese, ku nuk pranohen kërkesat kolektive apo organizative.
“Si kërkesë kolektive apo organizative që hyjnë në Gjykatë Kushtetuese nuk ka mundësi, sepse Strasburgu ose Gjykata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut është njëfarë lloj Gjykate Kushtetuese, sikurse Gjykata jonë që është. Sa kom njohuri unë, nuk kanë të drejtë të kërkojnë në një Gjykatë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut të bëjnë kërkesë për gjenocid”, tha Kryeziu për Front Online.

Miftaraj: Kosova edhe pas antarësimit në KiE nuk mund të ushtroj padi për krime lufte kundër Serbisë

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj thotë për Front Online se edhe pas antarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Kosova nuk mund të ushtrojë padi kundër Serbisë, për çështje që kanë të bëjnë me dëmet e shkaktuara prej luftës së fundit.

“Në radhë të parë ne duhet të jemi të sinqrtë për familjarët e viktimave të luftës së fundit në Kosovë, duhet të jemi të sinqertë me vetë viktimat dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të përçojmë mesazhe  të cilat pastaj mund të sjellin dëshprim tek të njëjtit.  Në bazë të asaj që e përcakton Konventa Evropiane për të drejtat dhe liritë e njeriut, praktikës që kanë ndërtuar Gjykata Evropiane për të drejtat e Njeriut, fatkeqësisht mund të them që qytetarët e Kosovës nuk mund të ushtrojnë padi, qoftë për familjarët e viktimave të luftës apo çështje të tjera që lidhen me dëme që ju shkaktuan Kosovës në luftën e fundit”, tha ai.

Miftaraj tregon se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në parim nuk pranon padi që lidhen me krimet që hyjnë në kuadër të Konventës Ndërkombëtare Penale, siç janë krimet e luftës apo gjenocidi.

“Kjo për arsye, në radhë të parë, sepse Serbia është pranuar në Këshill të Evropës vetëm në vitin 2003 që nënkupton se lufta e fundit në Kosovë ka qenë në Ish-Jogusllavi dhe Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Serbia si entitet i ri i antarësuar në KiE, në njëfarë mënyre nuk i ka marrë përsipër do të thotë ato obligimet që i ka pasur si Ish-Jogusllavi. Në anën tjetër, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në parim nuk pranon padi që lidhen me krimet që hyjnë në kuadër të KonventësNdërkombëtare Penale, siç janë krimet e luftës, gjenocid etj”, tha Miftaraj për Front Online.

Miftaraj në fund theksoi se në këto rrethana nuk është korrekte që qytetarëve të Kosovës t’iu ipen informata të rreme që të njëjtit mund ta shfrytëzojnë këtë mekanizëm nëse Kosova bëhet pjesë e saj.

Hasani: Nuk ka asnjë mundësi që Kosova të padisë Serbinë për krime lufte, qytetarët po mashtrohen

Enver Hasani, ish -kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës thotë për Front Online se nuk ka asnjë mundësi që edhe pas antarësimit në KiE, Kosova të padisë Serbinë për krime lufte dhe të ngjashme,  të kryera në Kosovë gjatë luftës, për faktin se nuk bie nën juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut.

“Jo. Nuk ka asnjë mundësi që Kosova të padisë Serbinë për krime lufte dhe të ngjashme,  të kryera në Kosovë gjatë luftës, për faktin e thjeshtë se nuk bien nën juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut. Nuk ka lidhje kjo gjykatë me krimet e luftës. Në mënyrë të njëjtë, as familjarët e të zhdukurve nuk mund të padisin Serbinë për personat e pagjetur. Kjo është kështu për shkak se  kjo gjykatë nuk mund të ketë juridiksion për situatat dhe gjendjen e krijuar në kohën kur Kosova nuk ka qenë shtet sovran dhe i pavarur”, thotë Hasani.

Profesori Hasani tha poashtu se kur po thuhet se mund t’i realizojnë të drejtat e tyre në Gjykatën Strasburgut për krime lufte, qytetarët po mashtrohen.

“Është një mashtrim brutal i njerëzve dhe lojë me ndjenjat e tyre, kur thuhet e premtohet se pas anëtarësimit tonë në Këshill të Evropës, individët dhe familjarët e goditur nga fatkeqësitë e luftës mund të realizojnë të drejtat e tyre në Strasburg”, thekson ai.

Në fund Hasani tha se ka pasur raste kur Britania e Madhe dhe disa vende anëtare të Këshillit të Evropës kanë qenë palë të paditura për shkelje të Konventës në territoret e pushtuara prej tyre, si p.sh. në Irak./Front Online/

Komento: