Justina Shhiroka Pula me udhëtime jashtë vendit? Presidenca kontrakton 273 mijë euro për bileta avioni!

11:07 | 10 Nëntor 2026

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka shpallur fituesin e tenderit për shërbime të transportit ajror – bileta avioni, me një vlerë prej 273 mijë e 3 eurosh, për një periudhë prej 36 muajsh.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, të publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit më 9 nëntor 2026, kontrata i është dhënë kompanisë AS TRAVEL CLUB nga Prishtina.

Tenderi ka të bëjë me sigurimin e biletave të udhëtimit me aeroplan për nevojat e Zyrës së Presidentes së Kosovës. Në dokumentin e prokurimit thuhet se relacionet e udhëtimeve nuk mund të përcaktohen paraprakisht.

Vlera e parashikuar fillestare e kontratës ishte 400 mijë euro, ndërsa vlera përfundimtare e kontratës së shpallur fituese është 273,003 euro, shkruan ORAinfo.

Në procedurën e prokurimit kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, ndërsa kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.

Marrëveshja kornizë është paraparë të zgjasë 36 muaj, çka nënkupton se Presidenca do të ketë në dispozicion shërbime për sigurimin e biletave ajrore gjatë kësaj periudhe.

Tenderi ngre interesim për intensitetin e planifikuar të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit të Presidencës, ndonëse dokumenti nuk specifikon numrin e udhëtimeve, destinacionet apo zyrtarët që do t’i shfrytëzojnë këto bileta.

Kontrata është dhënë më 9 nëntor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj ishte planifikuar për 10 nëntor 2026. /ORAinfo/

Komento: