
Juventusi dhe Bologna janë duke zhvilluar bisedime për një marrëveshje shkëmbimi që përfshin dy mbrojtësit e krahut të djathtë, Joao Mario dhe Emil Holm.
Sipas “Sky Sport Italia”, negociatat mes dy klubeve janë në vazhdim dhe, pavarësisht kohës së kufizuar për të finalizuar marrëveshjen, palët po punojnë ende për të gjetur një kompromis.
Joao Mario ka pasur vështirësi të gjejë hapësira te Juventusi, duke regjistruar vetëm një asist në 13 paraqitje në të gjitha garat. Portugezi ka grumbulluar gjithsej 373 minuta lojë në Torino në sezonin 2025/26, por vetëm 46 minuta nën drejtimin e trajnerit të ri, Luciano Spalletti.
Në anën tjetër, Emil Holm ka qenë shumë më aktiv te Bologna. Suedezi ka luajtur 1.240 minuta këtë sezon, duke kontribuar me pesë asiste dhe një gol në 19 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
Ndërkohë, Juventusi ka arritur edhe një marrëveshje me mbrojtësin e Celta Vigos, Oscar Mingueza, por transferimi i tij mbetet i ndërlikuar.
Edhe pse spanjollit i kanë mbetur më pak se gjashtë muaj kontratë, klubi galician vazhdon të kërkojë 20 milionë euro, për shkak se Barcelona zotëron një klauzolë prej 50 për qind nga shitja e ardhshme e lojtarit./Telegrafi