Juventus ‘gjunjëzon’ Leccen

23:51 | 26 Qershor 2020

Juventus ka shënuar fitore të lehtë ndaj Lecces.

Juventus ka bërë një hap të madh drejt titullit të kampionit në Serie A.

‘Zonja e vjetër’ nuk e ka ndërmend të heq dorë nga titulli i kampionit në Serie A as në sezonin e nëntë radhazi, dhe këtë e ka dëshmuar duke mposhtur Leccen me rezultatin 4:0, shkruan lajmi.

Ishin Paulo Dybala dhe Cristiano Ronaldo dy yjet që i siguruan tri pikë skuadrës së udhëhequr nga Maurizio Sarri, por të ndihmuar edhe nga Higuain e De Ligt, në një ndeshje ku Lecce luajti me 10 lojtarë që nga minuta e 32′.

Ishte minuta e 53’ kur Dybala shënoi një super gol nga jashtë zonës së 16-metërshit, për t’i dhënë epërsinë Juves.

Kurse, në minutën e 62’, Cristiano Ronaldo konvertoi në gol një penallti të akorduar në favor të skuadrës së tij.

Goleada vazhdoi kur Cristiano Ronaldo me një asistim jashtëzakonisht të bukur shërbeu Gonzalo Higuain, ky i fundit që dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 3:0. Rezultati u vulos tre minuta më vonë, kur Matthijs De Ligt shënoi me kokë për 4:0.

Me këtë fitore, Juventus shkon në 69 pikë për pozitën e parë, duke u shkëputur me shtatë pikë nga Lazio.

Lecce në anën tjetër mbetet me 25 pikë në pozitën e 18-të në tabelë, duke rrezikuar kështu rënien nga Serie A.

Komento: