Liga italiane, Serie A Lega, thuhet të ketë vendosur ta caktojë një datë të re për zhvillimin e ndeshjes mes Juventusit dhe Napoli, por pritet t’ua heqë një pikë nga klasifikimi napolitanëve për shkelje të protokollit të koronavirusit.
Takimi duhej të zhvillohej fundjavën e kaluar, por nuk ndodhi ashtu për shkak se Napoli nuk udhëtoi fare drejt Torinos sepse nuk u lejua largohej nga qyteti nga autoritetet lokale të shëndetësisë, transmeton Express.
Pavarësisht se e dinte se skuadra e Napolit nuk ishte e pranishme në Torino, bardhezinjtë dolën në fushë për ta pritur kundërshtarin, me qëllim që ta fitojnë lojën me rezultat 3:0.
Por tani, disa ditë më vonë, mediat italiane shkruajnë se Juventusi nuk mund ta fitojë ndeshjen me rezultat zyrtar për shkak se Napoli nuk u paraqit në ndeshje, sepse Serie A do ta caktojë një datë të re për zhvillimin e ndeshjes.
Megjithatë, sipas Corriere della Sera, Napolit do t’i hiqet një pikë për shkelje të protokollit.
E përditshmja italiane raporton se Federata e Futbollit e Italisë (FIGC) nuk dyshon në kompetencat e autoriteteve lokale të shëndetësisë në Napoli, por beson se ekipi i Gennaro Gattusos nuk është dashur të ndalohej për të udhëtuar drejt Torinos.
Napoli nuk ishte lejuar të largohej sepse i kishte dy raste me koronavirus në skuadër.